Shërbimi i pastrimit në plazhin e Velipojës vijon të shfaqë probleme serioze. Në redaksinë e Newspower.al ka mbërritur një denoncim nga qytetarë, të cilët raportojnë se mbetjet prej dy ditësh qëndrojnë të papastruara në rrugën nr. 8, vetëm pak metra larg plazhit.
Situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se, vetëm pak metra më tutje, ndodhet zyra e Njësisë Administrative Velipojë, ku janë të pozicionuara edhe shërbimet e Policisë Bashkiake dhe të Zjarrfikëses.
Prej ditësh, në disa zona të plazhit të Velipojës, gjendja e pastrimit lë shumë për të dëshiruar. Pavarësisht problematikave të përsëritura, deri më tani nuk bëhen të ditura masa konkrete nga Bashkia Shkodër ndaj kompanisë së kontraktuar për ofrimin e shërbimit të pastrimit.
Kjo situatë krijon një imazh të shëmtuar për Velipojën, veçanërisht në muajin gusht, periudhë kur zona përjeton fluksin më të lartë të pushuesve.
Mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të ndërhyjnë për të normalizuar situatën dhe për të garantuar një shërbim pastrimi në përputhje me nevojat e pushuesve dhe banorëve.






