Dy persona, babë e bir, janë vënë në pranga nga Policia në Fushë Arrëz, pasi dyshohet se kanë kultivuar 172 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, pranë banesës së tyre në fshatin Berishë.
Fushë Arrëz/Vijon operacioni i koduar “Territor i Pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir) pasi dyshohet se kanë kultivuar 172 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, afër banesës së tyre, në fshatin Berishë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit të koduar “Territor i Pastër”, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, goditën një rast të kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u ndaluan shtetasit Ton Martini, 59 vjeç dhe Ylber Martini, 24 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Berishë, pasi dyshohet se kanë kultivuar 172 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, në afërsi të banesës së tyre.
Bimët narkotike u asgjësuan nga shërbimet e Policisë, me djegie, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






