DVKM Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Transit 4”. Goditet një tjetër rast i dhënies së ndihmës emigrantëve nga vendet e treta për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, pasi u kap duke transportuar me automjet 7 shtetas nga Filipinet dhe Afganistani, që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi.
Sekuestrohet automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit 4”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Urën Vajgurore.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan, në segmentin rrugor Vukpalaj–Aliaj, automjetin që drejtohej nga ky shtetas dhe me të cilin po transportoheshin, kundrejt pagesës, 7 shtetas të huaj, 5 nga Filipinet dhe 2 nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






