Ballina Aktualitet Sondazhi i IRI/ Shëndetësia, sektori më i korruptuar, lë pas gjykatat dhe...

Sondazhi i IRI/ Shëndetësia, sektori më i korruptuar, lë pas gjykatat dhe administratën

Shëndetësia perceptohet nga qytetarët si sektori ku korrupsioni është më i përhapur në Shqipëri, duke lënë pas sistemin e drejtësisë, administratën publike dhe qeverinë qendrore. Sipas Sondazhit Kombëtar për Shqipërinë të Institutit Republikan Ndërkombëtar, 36% e të anketuarve e përmendën shëndetësinë kur u pyetën se në cilat nivele ose sektorë korrupsioni ishte më i përhapur. Kjo përqindje është 12 pikë përqindjeje më e lartë se për gjyqësorin dhe gjykatat, të përmendura me nga 24% secila, dhe 19 pikë mbi administratën publike, me 17%.

Pyetja ishte e hapur dhe qytetarëve iu lejua të jepnin deri në dy përgjigje. Për këtë arsye, përqindjet tregojnë sa të anketuar përmendën secilin sektor dhe nuk përbëjnë pjesë të një totali prej 100%. Pas tri sektorëve të parë, qeveria qendrore përmendet nga 9% e qytetarëve. Policia dhe arsimi marrin nga 6%, ndërsa kadastra dhe regjistrimi i pronave, partitë politike dhe politikanët, sektori privat, si dhe prokurimet, tenderët dhe kontratat publike përmenden nga 5% secili. Pushteti vendor dhe ndërtimi identifikohen si zona të përhapjes së korrupsionit nga 3% e të anketuarve. Bujqësia përmendet nga 2%, ndërsa Kuvendi dhe deputetët, administrata tatimore, infrastruktura dhe doganat marrin nga 1%. Rreth 6% dhanë përgjigjen se korrupsioni gjendet “kudo”, vetëm 3% deklaruan se nuk ka korrupsion, ndërsa 16% nuk dhanë një përgjigje ose thanë se nuk e dinin.

Tetë në dhjetë qytetarë e shohin korrupsionin si problem serioz

Perceptimi për shëndetësinë si sektori më problematik vendoset në një panoramë më të gjerë mosbesimi ndaj funksionimit të institucioneve. Në të njëjtin sondazh, 83% e qytetarëve e konsiderojnë korrupsionin një problem serioz në vend. Prej tyre, 45% e cilësojnë “shumë serioz” dhe 38% “disi serioz”. Vetëm 14% nuk e konsiderojnë serioz, ndërsa pjesa tjetër nuk dha përgjigje. Në pyetje, korrupsioni u përkufizua si detyrimi për të bërë një favor, dhënë një dhuratë ose paguar ryshfet, pasi dikush përdor pozicionin për përfitime personale. Vlerësimi më negativ vjen nga familjet në gjendjen më të vështirë ekonomike. Mes personave që deklarojnë se nuk përballojnë as nevojat bazë, 54% e konsiderojnë korrupsionin një problem shumë serioz. Te qytetarët që thonë se mund të përballojnë shumicën e gjërave që dëshirojnë, kjo përqindje zbret në 31%. Rezultatet tregojnë gjithashtu pakënaqësi të lartë me veprimtarinë e qeverisë kundër korrupsionit. Rreth 66% e vlerësojnë negativisht punën e saj në këtë fushë: 30% “disi keq” dhe 36% “shumë keq”. Vlerësim pozitiv japin 32%, prej të cilëve vetëm 4% e vlerësojnë punën “shumë mirë”./ekofin.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks