Kryetari i Partisë Demokratike Shkodër, Ardit Çylybyli, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Theth, duke e akuzuar se është rikthyer “në vendin e krimit”, një vit pas prishjes së ndërtimeve në këtë zonë.
Sipas Çylybylit, “Paketa e Maleve” nuk synon zhvillimin e zonave malore, por rrezikon t’u hapë rrugë grabitjes së pronave të banorëve dhe betonizimit në favor të oligarkëve të lidhur me pushtetin.
Statusi i plote:
U kthy në vendin e krimit!
Fiks një vit pasi urdhëroi prishjen masive të ndërtimeve në Theth, duke goditur rëndë ekonominë e familjeve, sezonin turistik dhe imazhin e një prej perlave më të çmuara të Alpeve Shqiptare, Edi Rama rikthehet si një mysafir i paftuar. Por këtë herë nuk vjen për t’u kërkuar falje banorëve. Vjen për të promovuar “Paketën e Maleve”, një projekt që rrezikon t’u hapë rrugë grabitjes së pronave të banorëve dhe një vale të re betonizimi e shkatërrimi mjedisor në dobi të oligarkëve të lidhur me pushtetin. Pasi zaptuan dhe shkatërruan bregdetin shqiptar, tani kanë kthyer sytë nga malet. Me ligje të qepura për interesat e një grushti njerëzish, qeveria po përpiqet të legalizojë një tjetër skemë abuzive, ku humbës janë banorët dhe fitues janë klientët e pushtetit. Pas 14 vitesh në qeveri, Edi Rama nuk gjeti kohë t’u japë certifikatat e pronësisë familjeve të Thethit dhe mijëra banorëve të zonave malore, të cilët i trashëgojnë këto prona brez pas brezi. Por sot kërkon t’u diktojë se çfarë do të bëhet me tokat e tyre. Thethi nuk ka nevojë për propagandë, por për drejtësi. Malet nuk janë plaçkë pushteti dhe pronat e banorëve nuk janë mall për pazaret e qeverisë. Historia do të mbajë mend se kush i mbrojti këto troje dhe kush tentoi t’i shesë ato. Sot Edi Rama dhe qeveria e tij janë armiku më i madh i këtyre zonave, i zhvillimit të tyre dhe i pronarëve që gëzojnë këto troje, sepse i do për oborrin e tij të krimit!






