Kryeministri Edi Rama tërhoqi vëmendjen në samitin e NATO-s me stilin e tij të veçantë të veshjes. Ndryshe nga shumica e liderëve të pranishëm, ai u shfaq i veshur me kostum të errët të kombinuar me atlete të bardha, një zgjedhje që e ka bërë edhe në aktivitete të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Një moment që u komentua ishte ai kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i tregoi me gisht Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, atletet e bardha të kryeministrit shqiptar. Trump hodhi një vështrim në drejtimin e treguar, ndërsa pamjet nuk tregojnë ndonjë reagim të veçantë nga ana e tij.
Momenti ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, ku ka nxitur komente të shumta. Për disa, zgjedhja e Ramës ishte një tjetër shenjë e stilit të tij të pazakontë, ndërsa të tjerë e interpretuan episodin si një moment që solli buzëqeshje mes disa prej liderëve të pranishëm.






