Ballina Analiza dhe Komente Plazhi publik me pagesë/ Beqiraj: Këta janë socialistë apo vetëm specialistë?!

Plazhi publik me pagesë/ Beqiraj: Këta janë socialistë apo vetëm specialistë?!

Nga Irena Beqiraj:

Plazhi publik me pagesë që ngre pyetjen këta janë socialistë apo specialistë?!

Ndërsa shëtit në shëtitoren bregdetare rreth 7 km në Nicë të Francës, është letësisht e dallueshme se vija bregdetare është e mbushur me plazhe publike shumë të pastra pa pagëse ku tek tuk syri të zë ndonjë plazh privat .

Asnjë pagesë nuk kërkohet për të vendosur një çadër, karrike a peshqirë, edhe kjo për arsyen e thjeshtë se plazhet janë burime natyrore bregdetare publike edhe si të tilla duhet të mbeten të lira nga tarifat e detyrueshme të hyrjes për të ruajtur të drejtën themelore të njeriut mbi natyrën, edhe për të garantuar akses të drejtë social.

Në Shqipëri qeveria me anë të Ministrit Gonxhe na ka prezantuar një risi – plazhe publike me pagesë të menaxhuara nga bashkitë.Tarifat për këto plazhe publike që ofrojnë çadër krevat plazhi e ndonjë rëke uji për të shplarë këmbët, do të shkojnë nga 700 deri në 1000 lekë të reja në ditë.

E pra në emër të bumit turistik cilësor, nëna ime pensioniste të cilës qeveria shkundur në themel nga protestat nuk priti si çdo vit Tetorin por i’a indeksoi pensionin që në Korrik , me shtesën më pak 700 lekë nuk e paguan dot tarifën e plazhit publik të Bashkisë Vlorë. Të gjorët pensionistë, në emër të zhvillimit edhe këtë verë do të duhet të bëjnë plazh pranë derdhjes së kanaleve të ujrave të zeza se vetëm aty sipërmarrësit privatë dhe bashkia “sipërmarrëse” do të lënë ndonjë rrip plazhi pa pagesë për publikun .

Ndërsa vëllai im që është më i ri në moshë ka edhe një mundësi tjetër. Megjithëse vlonjat disa breza, siç u takon atyre që nuk janë të zotët të marrin investime strategjike ose plazhe me qira edhe që në zhargonin socialist quhen ” nga mali “mund ta vendosë çadrën në Kaninë, edhe të zbres me vrap poshtë në det vetëm për t’u larë .

Kujt i shërben turizmi cilësor, kur 5.8 km2 tokë publike në bregdet qeveria ua ka falur pa pagesë 32 investitorëve strategjikë për të ndërtuar e shitur vila ? Kush përfiton nga bumi turistik kur qindra mijëra metra katrorë plazhe u janë vënë në dispozicion investitorëve strategjikë apo një grushti patronazhistësh për përdorim në afat të gjatë , ndërsa publiku që të aksesojë pronën e përbashkët duhet të paguajë ?

Edhe pjesa më aluçinante është argumentimi ekonomik i qeverisë i cili do të ketë kthyer përmbys në varr dhe Adam Smith -in . “Plazhi publik me pagesë do ti bëjë konkurencë te drejtpërdrejtë plazheve private”.

Tregu i plazheve private është në thelb një treg i krijuar vetëm nga vullneti i qeverisë. Ai ekziston vetëm sepse qeveria ka vendosur t’u japë privatëve në përdorim vijën bregdetare, çdo centimetër e së cilës është pronë e publikut. Në vend të kufizojë përdorimin e pronës publike nga privatët për qëllime fitimi sepse është një trasferim vlere nga publiku tek privati pa krijuar asnjë produkt , qeveria vendos tarifa në pjesën e mbetur për publikun për të rritur konkurrencën . Kjo është kundërintuitive , kufizon aksesin publik , krijon pabarazi, duke përfituar ata që kanë mundësi të paguajnë duke përjashtuar familjet me të ardhura më të ulëta dhe vendasit nga mjedisi i tyre natyror.

A ka ndonjë socialist që nuk e ka mësuar ekonominë tek Instituti i Lartë i Arteve që më shpjegon logjikën ekonomike se pse një grusht privatësh mund të zotërojnë edhe të përdorin pronën publike pa pagesë , ndërsa publiku vet duhet ta aksesojë atë vetëm nëpërmjet pagesës? A gjendet kund ndonjë progresist që më shpjegon sesi në emër “të turizmit cilësor” kemi varrosur dhimbshëm njëherë e mirë axhendën progresive socialiste, e cila ka në themel “mirëqënien edhe interesat e banorit lokal ?

Akoma kam shpresë se ekziston ndonjë i padukshëm , se këto që janë vërdallë edhe recitojnë ëndrrat e integrimit në Bashkimin Europian nuk janë socialistë këto janë specialistë !

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks