Banorë dhe përfaqësues lokalë kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e Qendrës Shëndetësore në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe, e cila, sipas denoncimeve publike, paraqitet e mbuluar nga shkurre dhe ferra në të gjitha anët e saj, duke vështirësuar aksesin dhe kushtet minimale të funksionimit të institucionit. Në një thirrje publike drejtuar Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik, kreu i PSD Malësi e Madhe, Ardian Hysa, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve përreth qendrës shëndetësore, duke theksuar se garantimi i kushteve normale të punës dhe shërbimit është detyrim institucional.
Sipas tij dhe banorëve të zonës, mungesa e mirëmbajtjes po ndikon drejtpërdrejt si në kushtet e punës së personelit mjekësor, ashtu edhe në cilësinë e shërbimit për qytetarët që paraqiten për trajtim. Ata ngrenë shqetësimin se në kushte të tilla, ofrimi i kujdesit shëndetësor bëhet i vështirë dhe jo në standardet minimale të sigurisë dhe higjienës, duke rrezikuar si pacientët ashtu edhe punonjësit e qendrës. Banorët theksojnë se është e paimagjinueshme që një qendër shëndetësore, e cila duhet të jetë pika e parë e ndihmës mjekësore për komunitetin, të ndodhet në një gjendje të tillë të neglizhuar, ku qasja dhe ambientet përreth janë të mbuluara nga bimësi e dendur. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa urgjente për pastrimin e territorit dhe rikthimin e kushteve minimale higjieno-sanitare, në mënyrë që qendra të përmbushë funksionin e saj si pika kryesore e shërbimit shëndetësor për komunitetin lokal në Pjetroshan.






