Egnatia nuk gabon, mund Dinamon 2-0 në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe shpallet kampione e Shqipërisë për të tretin vit radhazi. Albanese ka qenë heroi i sfidës për rrogozhinasit me 2 golat e shënuar në pjesën e parë.
Skuadra e Nevil Dedes kishte në dorë fatin e vet, pasi mjaftonte të fitonte ndeshjen kundër Dinamos, që të shpallej kampione. Rrogozhinasit nuk gabojnë në sfidën e fundit të Final 4 dhe mposhtin “blutë” me rezultatin 2-0.
Albanese zhbllokon ndeshjen nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 29-të, ndërsa 10 minuta më vonë sulmuesi shënon edhe golin e dytë personal, që vulosi fatin e kësaj sfide.
Egnatia mbyll Final 4 me 37 pikë, po aq sa Elbasani, por rrëmben vendin e parë, pasi ka bilanc më të mirë në përballjet direkte me verdheblutë.
Ndonëse nuk ishte favorite për titull pas përfundimit të sezonit të rregullt, pasi nisi Final 4 me 3 pikë më pak se Vllaznia dhe Elbasani, skuadra nga Rrogozhina arriti të fitojë të 3 sfidat e “Final 4”, duke mposhtur rivalët direkt dhe duke fituar titullin kampion.
Një meritë të madhe në këtë sukses ka trajneri Nevil Dede, që mori drejtimin e ekipit në javën e 35-të të kampionatit dhe arriti të rimotivojë skuadrën dhe të fitojë titullin kampion në krye të Egnatias.
Elbasani ka fituar 2-1 sfidën kundër Vllaznisë dhe ndonëse ka mbyllur kampionatin me pikë të barabarta me Egnatian, nuk arrin që të fitojë kampionatin, pasi penalizohet nga përballjet direkte me rrogozhinasit.






