
Partia Socialiste në Shkodër zhvilloi ceremoninë përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të krijimit të saj, ku morën pjesë drejtues lokalë, anëtarë dhe themelues të kësaj force politike. Në fokus të aktivitetit ishte vlerësimi i kontributit të figurave që hodhën themelet e PS-së në Shkodër, përmes ndarjes së certifikatave dhe dekoratave të mirënjohjes. Drejtuesi politik i PS-së për Shkodrën, Enea Karakaçi, në një reagim publik theksoi rëndësinë e rrugëtimit 35-vjeçar të partisë, duke e cilësuar ceremoninë si një moment emocionesh, kujtimesh dhe respekti për themeluesit që, sipas tij, kontribuuan me guxim, vizion dhe përkushtim në vitet e para të demokracisë.
Statusi i Karakaçit:
35 vite histori, sfida, sakrifica, përkushtim dhe besim në vlerat e demokracisë. Sot, në ceremoninë përkujtimore të 35-vjetorit të Partisë Socialiste 🌹në Shkodër, patëm nderin të bashkoheshim me themeluesit e kësaj force politike, njerëzit që hodhën themelet e një rrugëtimi të rëndësishëm për qytetin dhe vendin tonë. Me mirënjohje të thellë, ndamë certifikatat dhe dekoratat e mirënjohjes për kontributin e tyre të çmuar ndër vite. Ishte një moment emocionesh, kujtimesh dhe respekti për ata që me guxim, vizion dhe përkushtim shkruan faqet e para të kësaj historie. Falënderim dhe nderim për të gjithë ata që kontribuuan dje dhe vazhdojnë të kontribuojnë sot për një të ardhme më të mirë. Gëzuar 35-vjetorin e Partisë Socialiste në #Shkodër!
Megjithatë, në aktivitet u vu re mungesa e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga qytete të tjera të vendit, ku Rama ka qenë i pranishëm në aktivitetet përkujtimore të 35-vjetorit të PS-së, ai nuk mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Shkodër, duke u mjaftuar me dergimin e sekretarit politik Blendi Klosi. Pjesëmarrësit nderuan kontributin e brezave që kanë mbështetur Partinë Socialiste ndër vite, ndërsa drejtuesit vendorë përcollën mesazhe për vijimin e angazhimit politik dhe organizativ në qytetin verior. Ceremonia u mbyll me urimet për 35-vjetorin e PS-së dhe me vlerësime për rolin e anëtarëve dhe simpatizantëve në historinë e kësaj force politike në Shkodër.





