Ballina Kulture Skandal në RTSH/ Katër ditë para finales, Eni Vasili “i heq” Shkodrës...

Skandal në RTSH/ Katër ditë para finales, Eni Vasili “i heq” Shkodrës Junior Eurovision-in, shpërthejnë reagimet e prindërve dhe konkurrentëve

Screenshot

Katër ditë para netëve finale të edicionit të 64-t të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër, një postim i publikuar nga RTSH në rrjetet sociale lidhur me nisjen e përgatitjeve për Junior Fest ka shkaktuar reagime të forta dhe polemika të shumta.

Njoftimi ka ngjallur zemërim dhe indinjatë mes prindërve të këngëtarëve të vegjël pjesëmarrës në festival, por edhe mes vetë konkurrentëve.

Por çfarë ka ndodhur?

Një vit më parë, falë marrëveshjes së nënshkruar mes Bashkisë Shkodër dhe RTSH – Radio Televizionit Shqiptar, u bë e ditur se fituesi ose fituesja e Festivalit të Këngës për Fëmijë në kategorinë 9–14 vjeç do të përfaqësonte Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest, i njohur ndryshe si Eurovizioni për Fëmijë. Marrëveshja ishte firmosur nga drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

Shqipëria u përfaqësua vitin e kaluar nga këngëtarja Kroni Pula, e cila arriti të renditej në vendin e gjashtë në këtë kompeticion europian.

Edhe këtë vit, pjesëmarrësit e vegjël synonin jo vetëm triumfin në skenën e Shkodrës, por edhe mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Junior Eurovision, i cili do të zhvillohet në Maltë më 24 tetor.

Ndërsa përgatitjet e konkurrentëve dhe familjarëve të tyre ndodhen në fazën përfundimtare, vetëm pak ditë para nisjes drejt Shkodrës, njoftimi i RTSH-së se “hap zyrtarisht rrugëtimin e edicionit të radhës së Junior Fest” ka shkaktuar revoltë dhe paqartësi të madhe.

“Ftojmë të gjithë artistët e rinj, këngëtarë, interpretues dhe krijues të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi të veçantë, që jo vetëm promovon talentin dhe kreativitetin, por edhe hap dyert drejt eksperiencës më të madhe europiane për fëmijë dhe adoleshentë, asaj të Junior Eurovision Song Contest”, thuhet në njoftimin e RTSH-së.

Ky komunikim ka zbehur pritshmëritë e deritanishme të pjesëmarrësve në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër, të cilët besonin se fituesi i festivalit do të siguronte automatikisht përfaqësimin në Eurovizionin për Fëmijë.

Sipas reagimeve të prindërve dhe familjarëve, vendimi i fundit i RTSH-së shihet si një tërheqje arbitrare nga marrëveshja e firmosur vetëm një vit më parë mes RTSH-së dhe Bashkisë Shkodër. Ata akuzojnë drejtuesit e televizionit publik se po ndryshojnë rregullat në momentet e fundit, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e procesit dhe sakrificat e fëmijëve pjesëmarrës.

Polemikat janë thelluar edhe më tej pas publikimit të një postimi nga një faqe informative ndërkombëtare e dedikuar lajmeve të Junior Eurovision, ku thuhet se Shqipëria do ta përzgjedhë përfaqësuesin e saj për edicionin e këtij viti më 1 qershor, datë që përkon pikërisht me finalen e edicionit të 64-t të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër.

Në një kohë kur mediat dhe faqet informative ndërkombëtare duket se janë të qarta mbi mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesit shqiptar, komunikimet kontradiktore të RTSH-së kanë krijuar konfuzion dhe zhgënjim të madh, duke vënë në pikëpyetje ëndrrën e 20 konkurrentëve të vegjël vetëm katër ditë para finales.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks