Ballina Ekonomi ‘MIRUPAFSHIM’ DETYRIMET DERI MË 2014/ Administrata e Tatimeve shuan gjobat, ja skema...

‘MIRUPAFSHIM’ DETYRIMET DERI MË 2014/ Administrata e Tatimeve shuan gjobat, ja skema e re e faljes së detyrimeve

Administrata Tatimore ka nisur zbatimin e ligjit të ri për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore, në vijim të udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026.

Nga data 10 qershor 2026, tatimpaguesit do të mund të përfitojnë lehtësira të ndryshme në varësi të periudhës së borxhit dhe mënyrës së pagesës.

Sipas njoftimit, detyrimet deri më 31 dhjetor 2014 fshihen plotësisht, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, me përjashtim të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Për detyrimet e viteve 2015–2019 parashikohet falje e pjesshme, 50% e principalit nëse pjesa e mbetur paguhet deri më 30 qershor 2026, ose 25% falje nëse paguhet 75% e detyrimit deri më 31 dhjetor 2026.

Në të dy rastet, gjobat dhe interesat fshihen.

Për borxhet e viteve 2020-2024, gjobat dhe kamatëvonesat hiqen nëse paguhet i gjithë detyrimi kryesor brenda afatit deri më 31 dhjetor 2026.

Brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit, administrata do të hartojë listën e subjekteve përfituese dhe do t’i njoftojë në sistemin “e-Filing”.

Më pas do të vijojë edhe kompensimi automatik i kredive tatimore me detyrimet e papaguara.

Ligji parashikon gjithashtu fshirje gjobash për subjektet e çregjistruara deri në fund të vitit 2024, si dhe për raste të deklarimeve të vonuara, me kusht që dokumentacioni të dorëzohet brenda afateve të përcaktuara.

Nuk përfitojnë subjektet që janë dënuar për vepra penale tatimore ose doganore, ose ato që ndodhen ende në proces hetimi apo gjykimi për këto çështje, përveç rasteve kur heqin dorë nga ankimi.

Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve dhe qytetarëve të verifikojnë gjendjen e tyre në sistemin “e-Filing” dhe të përfitojnë nga lehtësirat brenda afateve të përcaktuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks