Gjatë mbrëmjes së kaluar e deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, forcat RENEA dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar kontrolle në disa zona të qarkut Lezhë, për kapjen e personave në kërkim. Policia ka krehur një perimetër të gjerë në banesa dhe biznese, pas informacioneve te siguruara se mund të strehoheshin persona në kërkim.
Aksioni erdhi pas informacioneve se në territorin shqiptar mund të ishte futur Elson Reçi, i shpallur në kërkim nga SPAK që prej 15 majit të vitit 2024.
Policia ushtroi kontrolle në banesën e tij në Mirditë, si edhe në disa ambiente të tjera, por pa rezultat, pasi Reçi nuk u gjet. Më pas, nga verifikimet e kryera, rezultoi se në Shqipëri kishte hyrë vëllai i tij dhe jo vetë Elson Reçi.
Elson Reçi akuzohet nga SPAK se ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për kryerjen e vrasjes së Preng Gjinit. Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i cili u ekzekutua me snajper në Rrëshen më 7 janar të vitit 2020.






