Mes Ballkanit dhe Greqisë ndodhet Shqipëria, një vend që ofron gjithçka që ke ëndërruar: kulturë dhe histori të pasur, qytete bregdetare magjike me rërë të bardhë, aventura në mal dhe shumë më tepër”, kështu shkruan prestigjiozjaThe Jerusalem Post, e cila e vendos vendin tonë mes alternativave më interesante për pushime në Ballkan dhe Europë.
Sipas medias izraelite, Shqipëria ofron një kombinim që sot është gjithnjë e më i rrallë në Evropë: natyrë spektakolare, histori të pasur dhe çmime të përballueshme. Në një kohë kur vende si Italia, Greqia apo Spanja po përballen me mbingarkesë turistike, Shqipëria po shihet si një alternativë më e qetë dhe më ekonomike.
Artikulli ndalet te disa nga pikat kryesore që po tërheqin vizitorët.
Në krye të listës është Tirana. Kryeqyteti përshkruhet si një qytet që ka ndryshuar shpejt, nga një e kaluar e mbyllur komuniste në një qendër dinamike ballkanike. Vizitorët sugjerohen të ndalen te Piramida e Tiranës, si dhe muzetë Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, për të kuptuar historinë e vendit. Po ashtu, përmendet edhe Shtëpia e Gjetheve, ndërsa theksohet atmosfera e gjallë e kafeneve dhe jetës urbane.
” Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u ofron vizitorëve një kulturë të gjallë dhe histori të pasur. Si një qytet që po transformohet me shpejtësi nga një komunizëm i mbyllur në një qendër të gjallë ballkanike, ai paraqet një përzierje unike të arkitekturës italiane, osmane dhe komuniste. Rekomandohet të vizitohen vende ikonike si Piramida e Tiranës, muzetë historikë Bunk’Art 1 dhe 2, si dhe Muzeu “Shtëpia e Gjetheve”, për të kuptuar më mirë të kaluarën komuniste të qytetit. Nga ana tjetër, për të shijuar ndërtesat shumëngjyrëshe dhe artistike, sugjerohet një shëtitje në këmbë. Tirana ka gjithashtu një kulturë të zhvilluar kafenesh dhe baresh, ku turistët mund të provojnë ushqime tradicionale si byreku” shkruhet në artikull.
Një tjetër pikë që merr vëmendje është Riviera Shqiptare. Bregdeti përshkruhet si spektakolar, me plazhe si Plazhi i Gjipesë dhe Plazhi i Filikurit, që ofrojnë ujëra të kristaltë dhe natyrë të paprekur. Vizitorët mund të eksplorojnë edhe Kalaja e Porto Palermos apo parkun arkeologjik të Butrinti, ndërsa zona si Saranda dhe Himara përmenden për ushqimin e freskët dhe atmosferën turistike.
“Riviera Shqiptare ofron një vijë bregdetare spektakolare, së bashku me plazhe të fshehura si Gjipe dhe Filikur. Pasi të mbërrini në zonë, mund të relaksoheni në plazhe me rërë të bardhë apo me guralecë, ose të bëni një udhëtim me varkë për të zbuluar gjire të fshehura. Adhuruesit e sporteve ujore mund të bëjnë kajak ose snorkeling dhe të zbulojnë bukuritë e Detit Jon, si edhe të zhyten në burimin natyror “Syri i Kaltër”. Rekomandohet gjithashtu të vizitoni Kalanë e Porto Palermos nga shekulli XIX ose parkun arkeologjik të Butrintit, i njohur nga UNESCO. Ndërkohë, ata që pëlqejnë ecjet në natyrë mund të shfrytëzojnë shtigjet e bukura të Parkut Kombëtar të Llogarasë. Gjithashtu, mund të gjeni ushqime deti të freskëta dhe të shijshme në restorantet përgjatë bregdetit në Sarandë, ose në Himarë për një përvojë më të qetë” thuhet më tej.
Po aq vlerësim marrin edhe Alpet Shqiptare, të njohura si “Bjeshkët e Nemuna”. Artikulli i përshkruan si një alternativë më pak të mbingarkuar ndaj zonave alpine në Evropë. Shtigje si ai mes Valbonës dhe Thethit ofrojnë pamje mbresëlënëse, ndërsa atraksione si Syri i Kaltër i Thethit apo ujëvara e Grunasit përmenden si pika që nuk duhen humbur. Sipas shkrimit, edhe liqeni i Komanit dhe përvoja e qëndrimit në kulla tradicionale janë ndër elementët që e bëjnë Shqipërinë një destinacion unik për turistët që kërkojnë natyrë dhe autenticitet.
” Udhëtarët që kërkojnë një pushim të qetë dhe të paharrueshëm në mal, larg turizmit masiv, mund të drejtohen drejt Alpeve Shqiptare, të njohura edhe si “Bjeshkët e Nemuna”. Rekomandohet të provohet një nga shtigjet më të famshme të ecjes në zonë, ai mes Valbonës dhe Thethit, që zgjat nga gjashtë deri në nëntë orë dhe ofron pamje të egra e mbresëlënëse natyrore. Si alternativë, mund të vizitoni edhe “Syrin e Kaltër të Thethit”, një pellg me ujë të ftohtë turkez pranë fshatit Ndërlysaj, si dhe kanionin dhe ujëvarën e Grunasit. Në parqet kombëtare të Thethit dhe Valbonës gjenden fshatra tradicionale shumë të bukura, ideale për ata që duan të përjetojnë jetën malore autentike. Gjithashtu, mund të bëni një udhëtim me varkë në lumin Drin përmes Liqenit të Komanit, ose të qëndroni në një shtëpi tradicionale prej guri, të njohur si “kullë”, ku ofrohet ushqim organik i përgatitur në shtëpi dhe mikpritje vendase për një eksperiencë sa më të vërtetë” shkruhet në artikull






