Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar betejën edhe në Gjykatën e Lartë, pasi kjo e fundit rrëzoi rekursin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme që nuk ishin dakord me Apelin Administrativ. Vendimi i Gjykatës së Lartë mban datën 17 shkurt 2026.
Në dokumentin e siguruar shkruhet: “Mospranimin e rekursit të palës së paditur Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Brendshme përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit kundër vendimit nr. 1249 (86-2025-1564) datë 26.06.2025 të Gjykatës Administrative të Apelit”.
Në bazë të vendimit tashmë shteti duhet t’i paguajë Nanos 60 paga mujore për 5 vite, ose rreth 100 mijë euro, sa mandati i parashikuar në ligj, i cili u ndërpre nga shkarkimi i Qeverisë në 31 gusht 2022, me argumentin se nuk kishte realizuar objektivat.
Ish-drejtori i Policisë pas shkarkimit nga detyra iu drejtua Gjykatës Administrative ku pas shqyrtimit Shkalla e Parë i dha të drejtë Gledis Nanos. Ky vendim u ankimua nga Këshillimi i Ministrave dhe Ministria e Brendshme në Apelin Administrativ ku edhe shkalla e dytë vendosi lënien në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke “çertifikuar” me formë të prerë si të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.






