Një incident dhune është regjistruar në IEVP Reç, ku dy të paraburgosur, Françesko Doçi dhe Ardian Gjoka kanë ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë së Burgjeve, duke kundërshtuar me forcë autoritetin dhe duke dëmtuar pajisje në ambientet e institucionit. Sipas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, reagimi i strukturave ka qenë i menjëhershëm, ndërsa drejtues të lartë të institucionit kanë qenë në vendngjarje dhe kanë ndjekur nga afër menaxhimin e situatës. Forcat e sigurisë kanë ndërhyrë dhe kanë neutralizuar situatën. Punonjësi i dëmtuar ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndaj dy të paraburgosurve janë marrë masa të menjëhershme disiplinore dhe ligjore, përfshirë vendosjen në regjim të veçantë izolimi për tre muaj, nisjen e procedimit penal për tre vepra penale, si dhe transferimin në një institucion të sigurisë së lartë.
Njoftimi i drejtorise se burgjeve:
ZERO TOLERANCË NDAJ DHUNËS NË SISTEMIN PENITENCIAR
Në IEVP Reç, dy të paraburgosur, A.Gj dhe F.D, kanë ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë së Burgjeve, kanë kundërshtuar me forcë autoritetin dhe kanë dëmtuar pronën duke shkatërruar pajisje në ambientet e institucionit. Reagimi ka qenë i menjëhershëm. Strukturat më të larta të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë qenë në vendngjarje dhe kanë ndjekur nga afër menaxhimin e situatës. Forcat e sigurisë kanë ndërhyrë me vendosmëri dhe kanë neutralizuar çdo rrezik. Punonjësi i dëmtuar ka marrë ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut.
MASAT E MENJËHERSHME NDAJ DY TË PARABURGOSURVE:
Regjim i veçantë – izolim për 3 muaj;
Procedim penal për 3 vepra penale, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm te Burgjeve;
Transferim në institucion të sigurisë së lartë.
Çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve është i papranueshëm dhe do të ndëshkohet me forcën maksimale të ligjit.
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mbeten të angazhuara për garantimin e rendit, sigurisë dhe mbrojtjen e jetës e integritetit të stafit.
Autoriteti i ligjit nuk negociohet