Një nga vendimet e para të marra nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhet me riorganizimin e shërbimeve të policisë rrugore në të gjithë vendin.
Sipas një telegrami zyrtar të shpërndarë në të gjitha drejtoritë vendore, është urdhëruar heqja e shërbimeve të dukshme të policisë rrugore nga akset nacionale dhe zona të tjera. Ky vendim vjen pas shqetësimeve të shprehura nga drejtuesit e mjeteve, të cilët kanë raportuar ndalime rutinë pa bazë të qartë ligjore, si dhe vonesa të panevojshme gjatë udhëtimit.
Në urdhër theksohet se, duke filluar nga data 10 prill, duhet të ndërpritet menjëherë praktika e ndalimit të automjeteve me arsyetimin “për verifikim”. Në vend të kësaj, shkeljet e qarkullimit rrugor do të konstatohen përmes teknologjisë, si radarët e shpejtësisë në mënyrë automatike dhe përdorimi i dronëve.
Ndërkohë, në rastet kur është e nevojshme ndërhyrja në terren dhe konstatimi i drejtpërdrejtë i shkeljeve, strukturat e policisë rrugore do të duhet të hartojnë plane të qarta kontrolli. Sipas udhëzimit, këto operacione do të drejtohen nga shefat e sektorëve ose seksioneve përkatëse, me qëllim rritjen e transparencës dhe efektivitetit në terren.






