Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për të pandehurit e dosjes së ARRSH-së, përfshirë ish-drejtorin Evis Berberin dhe 2 ish-vartësit e Belinda Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. 21 të pandehurit akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh.
Për ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, i arrestuar në 2024-ën, i cili sipas SPAK është përshirë në raste korruptive me vlerë rreth 15 milionë euro, kërkohet 10 vite burg. SPAK kërkoi shpalljen e tij fajtor për shkelje të barazisë në tenderë në 5 episode, korrupsion pasiv në 6 episode dhe pastrim parash në 1 episod, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi për Berberin ulet në 6vite e 8 muaj burg, si edhe i ndalohet të ushtrojë funksione publike për 5 vite. Prokuroria kërkoi konfiskimin e parave të gjetura gjatë kontrolleve në shtëpinë e Berberit, konkretisht për 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe 1 milion lekë.
Berberi ishte pronar faktik i kompanisë “DAAM” shpk, së cilës i kishte dhënë tenderë gjatë kohës që mbante pozicionet e Drejtorit të Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë dhe ARRSH-së. Ai është paralelisht i pandehur edhe në një tjetër proces bashkë me ish-zv.kryeministren Balluku. Të dy akuzohen për shkelje të barazisë me tenderin 190 mln euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
Për Gentian Gjylin, po ashtu ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, SPAK kërkon 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera në 2 episode dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Për Erald Elezin, ish-drejtor i KESH, SPAK kërkoi dënimin me 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera, që ulet me 1/3, si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Sipas prokurorisë Ervis Lami dhe Brunilda Buli kanë bashkëpunuar në fazën paraprake me drejtësinë, dhe për ta kërkoi nga 7 vite e 6 muaj burg dhe në përfundim pezullimin e dënimit.






