Pak orë përpara protestës së paralajmëruar në kryeqytet, kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, së bashku me të rinjtë e Forumi Rinor i Partisë Demokratike, kanë zhvilluar një ecje në zonën e Zdrales në Shkodër. Gjatë takimeve me qytetarët, ata kanë shpërndarë fletëpalosje dhe kanë diskutuar mbi pjesëmarrjen në protestën që pritet të zhvillohet në Tiranë. Sipas Çylybylit, kontakti i drejtpërdrejtë me banorët ka shërbyer për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të përcjellë mesazhin e mobilizimit qytetar.
Statusi i plote:
Pak orë përpara protestës së sotme në kryeqytet, së bashku me të rinjtë e FRPD, zhvilluam një ecje në zonën e Zdrales, ku patëm mundësinë të takojmë nga afër qytetarë, të dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe të shpërndajmë fletëpalosje për pjesëmarrje në protestë. Mbështetja, besimi dhe gatishmëria që ndjehet në çdo takim, na japin edhe më shumë përgjegjësi dhe forcë për të vazhduar këtë rrugëtim. Sot, më shumë se kurrë, kauzat për të protestuar janë të shumta, kundër korrupsionit, krimit të bërë një me shtetin, largimit të të rinjve dhe keqqeverisjes që ka prekur familjet tona dhe ekonominë e tyre. Është momenti që qytetarët të bashkohen dhe të ngrenë zërin. Sot në Tiranë të gjithë bashkë, secili prej nesh ka një arsye për të qenë pjesë e protestës.






