Armët e paligjshme që shpesh përfundojnë në duart e grupeve kriminale vijojnë të mbeten një nga kërcënimet më serioze për sigurinë. Të përdorura në ngjarje të rënda kriminale, për larje hesapesh apo veprimtari të tjera të jashtëligjshme, këto armë forcojnë strukturat kriminale.
Në total, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë sekuestruar 83 armë zjarri. Gjatë muajit janar janë sekuestruar 62 armë, ndërsa në muajin shkurt 21 armë të tjera, të cilat magazinoheshin në zona të ndryshme në kryeqytet.
Gjatë vitit 2025, strukturat ligjzbatuese, gjatë operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikut të armëve, kanë sekuestruar në total 690 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Nga këto, 61 kanë qenë armë sportive, ndërsa pjesa tjetër armë që qarkullonin jashtë kontrollit ligjor. Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 29 881 municione luftarake dhe 94 granata dore.
Këto armë, të cilat trafikohen kryesisht nga Kosova, përdoren në ngjarje kriminale, të cilat, edhe pse sekuestrohen nga policia, nuk bien në gjurmët e autorëve.



