Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u inaugurua Kub France Shkodër, një hapësirë e re kulturore digjitale që shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit kulturor francez-shqiptar. Kjo iniciativë, sjell për herë të parë në një muze në Shqipëri përvoja kulturore immersive përmes teknologjive të realitetit virtual dhe platformës Micro-Folie, duke ofruar akses në mijëra vepra arti të dixhituara nga institucione prestigjioze kulturore ndërkombëtare, si dhe përmbajtje të kuruara të trashëgimisë dhe artit francez raporton newspower.al.
Catherine Suard, ambasadore e Francës
“Më lejoni që në nisje t’ju uroj vitin e ri dhe të uroj Shqipërinë për hapat e rëndësishëm që ka hedhur dhe arritjet në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Shpreh mbështetjen e Francës në këtë rrugë tuajën. Kënaqësi të përurojmë këtë hapësirë inovative digjitale, këtu në muzeun Marubi. Projekti synon të thellojë bashkëpunimin digjital mes Shkodrës, Shqipërisë e Francës. Janë një urë lidhëse e trashëgimisë kulturore mes dy vendeve tona. Ky projekt ndërkombëtar ofron çasje në 3200 vepra arti të digjitalizuara, ndër më të famshmet e të njohurat e Francës”.
Ministri Blendi Gonxhja tha se kjo hapësirë e re kulturore digjitale synon të lidhë artin, teknologjinë dhe edukimin në një format bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës. Ai u ndal edhe tek një plan ambicioz që ka për Shkodrën ben me dije newspower.al, duke u bërë qyteti i parë në Shqipëri që do të ketë një rrjet muzesh, ngjashëm me vendet e zhvilluara europiane.
Përmes këtij projekti, Shkodra forcon rolin e saj si një pikë referimi kulturore dhe teknologjike në rajon , duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për angazhimin e të rinjve në fushën e kulturës digjitale./newspower.al






