Shkuarja në gjyq e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benec Beci, ka sjellë reagimin e deputetit të PD-së, Bardh Spahia.
Sipas tij, ‘qëndrimi i të pandehurit Benet Beci në zyrë, ndërkohë që mbi të rëndon akuza e hajdutërisë, është një akt dhune ndaj demokracisë dhe ofendimi ndaj qytetarëve shkodranë. Benet Beci nuk po qeveris më. Ai po fshihet mbas kolltukut dhe me këtë ai po tregon më së miri që është peng i krimit që e mbështeti por edhe e të shkuarës së vet të pisët’.
Bardhi shkruan se, ‘Shkodra nuk mund të jetë mburoja e një njeriu i cili kërkon të strehohet në shtëpinë e madhe të një qyteti që meriton respekt dhe dinjitet. Çdo firmë që hedh sot është e njollosur, çdo vendim që merr është i dyshimtë’.
Reagimi i plotë i deputetit të PD, Bardh Spahia:
Të dashur bashkëqytetarë!
Sot jemi përballë një prove të madhe jo vetëm politike, por mbi të gjitha morale.
Politika, në thelbin e saj fisnik, është arti i të bërit mirë për të tjerët. Ajo është mjeti me të cilin krijohet mirëqënie për komunitetin, ndërtohen shkolla, jo vila për pushtetarët, shtrohen rrugë për njerëzit, jo rrugëdalje për paratë e pista.
Por çfarë kemi sot?
Një qeveri dhe ‘mazhorancë’ të shkërmoqur nga skandalet e hajdutërisë pa limit në të gjitha zyrat e nivelet, të bërë një me krimin dhe kartelet e drogës.
Rasti i fundit është ai i institucionit të Bashkisë Shkodër, të marrë peng nga një individ i akuzuar tashmë zyrtarisht për vjedhje.
Të jesh nën akuzë (me fakte) për abuzim me fondet publike nuk është thjesht një procedurë ligjore, është një ‘vdekje’ politike. Në çdo vend demokratik, dhe për çdo njeri me pak moral, dorëheqja do të ishte dhënë sekondën e parë.
Qëndrimi i të pandehurit Benet Beci në zyrë, ndërkohë që mbi të rëndon akuza e hajdutërisë, është një akt dhune ndaj demokracisë dhe ofendimi ndaj qytetarëve shkodranë. Benet Beci nuk po qeveris më. Ai po fshihet mbas kolltukut dhe me këtë ai po tregon më së miri që është peng i krimit që e mbështeti por edhe e të shkuarës së vet të pisët. Shkodra nuk mund të jetë mburoja e një njeriu i cili kërkon të strehohet në shtëpinë e madhe të një qyteti që meriton respekt dhe dinjitet. Çdo firmë që hedh sot është e njollosur, çdo vendim që merr është i dyshimtë.
Ikja e Becit është e pashmangshme, por mënyra se si ai po e zvarrit, po tregon se atij kurrë nuk i ka interesuar ky qytet, por vetëm pushteti dhe mbrojtja nga drejtësia.
Kam dhe dy fjalë për ata që i shkojnë pas.
Ky mesazh është edhe për ju, rrethi i ngushtë, servilët, dhe ata që duartrokasin vjedhjen për të ruajtur një karrige apo një rrogë.
Turpi është edhe i juaji!
Të mbështesësh një hajdut, të bën bashkëfajtor më e pakta moral. Të heshtësh përpara vjedhjes së shtëpisë tënde të përbashkët vetëm se të hedhin ndonjë thërrime nga sofra e pushtetit, është mjerim qytetar.
Historia nuk do të mbajë mend vetëm atë që vodhi, por edhe ata që i mbanin thesin. Mos u bëni garda mbrojtëse e korrupsionit!
Të dashtun bashkqytetarë të lirë, kjo betejë është midis së shkuarës të pisët dhe të ardhmes që meritojmë.
Një qytet me histori dhe kulturë nuk mund të ulë kokën para një grushti njerëzish që e shohin bashkinë apo zyrat e shtetit si bankomat personal.
Shkodra meriton drejtues me integritet të cilët nuk janë pengje as të bandave dhe as të drejtësisë por që mbi gjithçka vendosin shërbimin ndaj qytetarëve të ndershëm.
Shkodra meriton transparencë, jo skema mafioze.
Shkodra meriton dinjitet!
Koha e hajdutëve ka mbaruar. Tani është koha e llogaridhënies para drejtësisë e mbi të gjitha para qytetarëve të ndershëm.






