Të gjithë ata që kanë një pronë dhe planifikojnë ta shesin vitin e ardhshëm duhet të kenë parasysh se, në procesin e rivlerësimit, merret për bazë çmimi në momentin e legalizimit të pronës.
E thënë ndryshe, nëse ke ndërtuar një shtëpi në vitin 2005, kur çmimi ishte 500 euro për metër katror, dhe ajo është legalizuar në vitin 2015, kur çmimi ishte 1 200 euro për metër katror, për bazë do të merret kjo e fundit.
“Rivlerësimi lidhet me vendosjen e vlerës reale të tregut të pronës sot. Ndërkohë, çmimi fillestar që merret për bazë lidhet me momentin e legalizimit të pronës, jo me vitin kur ajo është ndërtuar. Legalizimi është pika referuese për vlerën fillestare të pronës”, tha Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme.
Një pjesë tjetër e konsiderueshme e pronave që preken nga ky proces janë edhe ato që dhurohen mes familjarëve. Vlerësuesit këshillojnë që fillimisht të kryhet dhurimi i pronës dhe më pas procesi i rivlerësimit.
“Unë gjithmonë u them klientëve dhe miqve të mi që të kryejnë fillimisht procesin e dhurimit dhe më pas rivlerësimin. Në momentin që prona dhurohet, taksa është zero dhe prona kalon me vlerë zero lekë. Më pas, nëse përfituesi e shet pronën, tatohet për vlerën e plotë të shitjes. Pra, së pari dhurimi dhe më pas rivlerësimi”, u shpreh Demirxhiu.
Qytetarët në Shqipëri do të kenë mundësinë të vendosin çmimin aktual të pronës përmes dy rrugëve.
“Procesi i rivlerësimit bëhet gjithmonë para shitjes së pronës. Kushdo që dëshiron ta shesë duhet të kryejë fillimisht rivlerësimin, i cili mund të bëhet ose te noteri me çmimin e referencës, ose te një ekspert vlerësues me çmim tregu. Vetëm pas kësaj mund të realizohet shitja”, deklaroi Ervin Demirxhiu.
Sipas të dhënave, në procesin e rivlerësimit pritet të përfitojnë rreth 500 mijë prona.






