Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi që çmimet e shitjes me pakicë të energjisë elektrike për klientët fundorë që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) të mbeten në fuqi deri më 31 dhjetor 2026.
Vendimi u mor në mbledhjen e Bordit të ERE-s, pas vlerësimit të treguesve financiarë dhe ekonomikë të FSHU sh.a., nga të cilët rezulton se çmimet në fuqi mbulojnë kostot e aktivitetit dhe garantojnë funksionimin normal të shërbimit edhe për vitin 2026.
Për konsumatorët familjarë që konsumojnë deri në 700 kWh në muaj çmimi është 8,4 lekë/kWh, ndërsa për konsumatorët familjarë që konsumojnë më shumë se 700 kWh në muaj, çmimi është 9,5 lekë/kWh.
Po ashtu, ERE shtyu deri në fund të vitit 2026 edhe vlefshmërinë e çmimit të energjisë elektrike për karikimin e makinave elektrike në pikat/stacionet me fuqi të instaluar mbi 11 kW, të lidhura në nivelin e tensionit 0,4 kV.
Çmimi i energjisë elektrike në pika/stacione karikimi të makinave elektrike me fuqi të instaluar mbi 11 kW, të lidhura në nivelin e tensionit 0,4 kV është 22 lekë/kWh, ndërsa në orarin pik është 25,3 lekë/kWh.
ERE thekson se, në rast se pas rishikimit të tarifave të shpërndarjes së energjisë elektrike do të ketë ndryshime në kostot përkatëse, këto do të reflektohen më pas në çmimet me pakicë për klientët e shërbimit universal, sipas kuadrit ligjor në fuqi.






