Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, morën pjesë në aktivitetin e posaçëm “Dita Kulturore Arbëreshe”, zhvilluar në ambientet e Vatikanit, një veprimtari kushtuar promovimit të trashëgimisë së çmuar arbëreshe dhe forcimit të lidhjeve kulturore e ekonomike mes Shqipërisë dhe komuniteteve arbëreshe në Itali.

Aktiviteti u organizua nga Përfaqësia Shqiptare pranë Selisë së Shenjtë në bashkëpunim me Urdhrin Sovran Ushtarak të Maltës dhe mblodhi së bashku kryebashkiakë nga zonat arbëreshe, përfaqësues diplomatikë, akademikë, studiues dhe dashamirës të kulturës shqiptare.

Ministri Gonxhja e konsideroi këtë aktivitet “një nder të veçantë”, duke theksuar se kultura arbëreshe është një dëshmi e fuqishme e identitetit dhe rezistencës shqiptare në Europë.

Ai prezantoi projektet kryesore që po zhvillon Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për forcimin e këtyre lidhjeve, mes tyre: krijimin e Qendrës Kulturore Shqiptare në Itali, dosierin për përfshirjen e “Motit të Madh të Arbëreshëve” në UNESCO dhe themelimin e Muzeut Kombëtar Arbëresh.

Nga ana tjetër, ministri Salla nënvizoi kontributin e jashtëzakonshëm të komuniteteve arbëreshe në ruajtjen e gjuhës, traditës, veshjeve dhe kulturës shqiptare ndër shekuj.

“Ky aktivitet, në mbyllje të vitit jubilar, na kujton se kultura, feja, tradita dhe respekti për tokën, natyrën dhe ushqimin janë vlera thellësisht të lidhura”, u shpreh ministri Salla.

Ministri vuri në dukje se arbëreshët mbeten një prej dëshmive më të forta të identitetit shqiptar që ka jetuar, është zhvilluar dhe është integruar plotësisht në zemër të Europës, pa humbur rrënjët e veta.

Në kuadër të aktivitetit u zhvillua edhe një panair me pjesëmarrjen e 25 kompanive nga Shqipëria, kryesisht prodhues të vajit të ullirit, verërave dhe produkteve tradicionale, me synim krijimin e partneriteteve të reja dhe promovimin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Salla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në sektorë si vreshtaria, ullishtaria, blegtoria, agroturizmi dhe gastronomia.

Ministri nënvizoi angazhimin e Qeverisë shqiptare për forcimin e marrëdhënieve me komunitetet arbëreshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit institucional në funksion të zhvillimit rural dhe promovimit të identitetit të përbashkët kulturor.

“Le të jetë kjo një ditë tjetër gur themeli në ndërtimin e një marrëdhënieje edhe më të fortë mes Shqipërisë, Arbëreshëve dhe Italisë, një marrëdhënie ku kultura, bujqësia, tradita dhe solidariteti ecin së bashku”, theksoi ai.

Të dy ministrat theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me komunitetet arbëreshe, duke e cilësuar këtë event si një gur themeli në marrëdhëniet kulturore dhe ekonomike midis Shqipërisë, Arbëreshëve dhe Italisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu