Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim pune me Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo, si dhe Prefektët e 12 qarqeve, drejtues të AKMC, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Zjarrikës, me fokus masat paraprake për menaxhimin e emergjencave civile gjatë sezonit të dimrit.

Takimi pason një situatë me reshje intensive dhe përmbytje të lokalizuara, ku falë reagimit të strukturave të emergjencave, dëmet u minimizuan. Ministrja Koçiu tha se faza e ardhshme kërkon gatishmëri të plotë nga çdo institucion dhe koordinim maksimal në çdo nivel të territorit.

Në fjalën e saj, drejtuesja e MPB-së veçoi rolin e prefektëve si drejtues të menaxhimit të situatave në qark, duke kërkuar, inventarizim të shpejtë dhe të plotë të dëmeve të shkaktuara deri më tani, raportim të menjëhershëm dhe të saktë për çdo problem, pavarësisht madhësisë së tij si dhe rishikimin urgjent të planeve të emergjencës në çdo qark dhe përditësim të tyre sipas nevojave të terrenit.

“Në menaxhimin e emergjencave nuk ka ‘detaje të vogla’. Suksesi varet nga informacioni i saktë, koordinimi i pandërprerë dhe reagimi i shpejtë në terren,” u shpreh Koçiu, duke vënë në dukje se strukturat kryesore, si Policia e Shtetit, Shërbimi Zjarrfikës dhe ekipet e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë.

Ajo nënvizoi angazhimin e Ministrisë për forcimin e rolit të prefektit, rritjen e transparencës dhe performancës në nivel qarku, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Na duhet punë, përgjegjësi dhe bashkëpunim. Ne jemi gati. Dhe të gjithë duhet të jemi gati,” nënvizoi ministrja Koçiu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu