Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, duke u përqendruar në zgjerimin e programeve të studimit dhe forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në ciklin e podcastit “Studio në Shqipëri”, zhvilloi një bisedë me rektorin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Tonin Gjuraj, si dhe me dy studentë, Gjergj Shegajn, nga dega Biologji-Kimi dhe Loreta Çermelin, nga dega Administrim-Biznes.
Në fokus të diskutimit ishin studentët, si qendra e sistemit universitar, si dhe nevoja për të ofruar programe të larmishme dhe në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
Manastirliu tha se, “Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër është një institucion i arsimit të lartë me tradita që po shndërrohet në një qendër të rëndësishme akademike për rajonin dhe më gjerë, përmes programeve të ndërkombëtarizimit”.
Ministrja vlerësoi përpjekjet për rritjen e cilësisë akademike dhe u shpreh se, Universiteti i Shkodrës është duke u kthyer në një urë lidhëse mes shqiptarëve në rajon, duke tërhequr studentë nga Ulqini, Tuzi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Ky zhvillim i qëndrueshëm e pozicionon Universitetin “Luigj Gurakuqi” si një institucion kyç për formimin e brezave të rinj dhe si një qendër rajonale për dije, kulturë dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, tha Manastirliu.
Partneritetet strategjike me universitete prestigjioze europiane, si ai me Universitetin e Salentos në Itali, po mundësojnë zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore, kërkimit shkencor dhe inovacionit akademik.
Këto bashkëpunime rrisin cilësinë e arsimit dhe hapin mundësi të reja për studentët dhe stafin pedagogjik.
Rektori Gjuraj bëri të ditur se, “”Universiteti “Luigj Gurakuqi” ofron degë të larmishme që i përgjigjen nevojave të tregut të punës. Programet e studimit kanë rëndësi kombëtare, sepse Shkodra ka traditë në këtë drejtim, siç është p.sh programi i studimit të mësuesisë etj. Ne mirëpresim studentë nga të gjitha zonat e vendit, por edhe trojet shqiptare, si nga Kosova, Tuzi, Ulqini etj.”.
Gjuraj vuri në dukje se progarmi i Trashëgimisë Kulturore, jepet në dy gjuhë, pasi universiteti ka bashkëpunim me universitetin e Salentos në Itali.
Ndërsa dy studentët, ndanë eksperiencën e tyre sa i takon nivelit të lartë të stafit akademik dhe programeve me rëndësi që zhvillohen në këtë universitet. Ata u shprehën se Universiteti “Luigj Gurakuqi” do të ishte gjithmonë zgjedhje për ata, për studimet në arsimin e lartë.