Policia e Shkodrës ka vijuar me veprimet parandaluese dhe hetimore, duke evidentuar dhe goditur një sërë veprash penale në Shkodër, Malësi e Madhe dhe Pukë. Gjatë 48 orëve të fundit janë kryer disa procedime penale dhe arrestime në flagrancë: Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 62 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. U referuan materialet në Prokurori për shtetasin çek K. N., 26 vjeç, pasi në aksin rrugor “Theth-Bogë”, duke drejtuar motomjetin e tij, dyshohet se humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë elektrike. Si pasojë, u dëmtua dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Në fshatin Kryezi, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. N., 42 vjeç, pasi rezulton se posedonte një mjet të vjedhur në Itali. Mjeti u sekuestrua si provë materiale. U procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi R. M., 35 vjeç, për kryerje punimesh ndërtimi pa leje.
Më datë 17.07.2025, në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër ndërroi jetë shtetasi F. C., 56 vjeç. Dyshohet se ka konsumuar fotoksinë në gjendje të rënduar psikologjike. Vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në fshatin Vukpalaj, u procedua penalisht shtetasi A. A., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit nga policia iu gjetën dhe sekuestruan 3 mjete prerëse (thika), 1 celular dhe disa produkte ushqimore e rroba. Në Fushë Arrës, u procedua shtetasja D. C., 58 vjeçe, pas kallëzimit të shtetasit L. C., 71 vjeç, se ajo i ka ofenduar dhe i pengon ujin për vaditje banorëve të lagjes. Më datë 17.07.2025, shtetasi M. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se në lagjen “Skënderbeg”, persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin motomjetin e tij. Vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve. Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44 vjeç, kallëzoi se në banesën e prindërve të tij në fshatin Sektor, Velipojë, ka konstatuar një kurorë me lule mbi kangjellat e portës. Policia po heton për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.