Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Shqipëria është tronditur nga 19 vrasje, me një shpërndarje gjeografike që përfshin kryesisht dy qendra të mëdha urbane, Tiranën, Shkodrën, si edhe zonat e veriut. Nga këto ngjarje, 6 prej tyre mbeten ende të pa zbardhura, duke ngritur shqetësime për nivelin e sigurisë dhe efikasitetin e hetimeve. Sipas të dhënave, muaji janar mban numrin më të lartë të ngjarjeve. Muajin e parë të 2025 u shënuan 6 vrasje, gjysma e tyre ende e pazbardhur. Ndërsa në muajin mars nuk ndodhi asnjë ngjarje. Tirana dhe Shkodra janë dy qarqet që shënuan numrin më të lartë të ngjarjeve. 5 vrasje në kryeqytet dhe 4 të tjera në qytetin verior, aty ku ndodhi edhe një krim i dyfishtë, ku një 34 vjeçar pasi ekzekutoi bashkëjetuesen e tij në makinën që ata ndodheshin, më pas vrau edhe veten.

Po në Shkodër, një turist amerikan u arrestua pasi vrau gruan e tij në banesën që kishin marrë me qira teksa kishin ardhur me pushime. Ndërsa në Tiranë, 49-vjeçari palestinez erdhi bashkë me të bijën duke u kamufluar si turistë, por pasi kreu krimin u largua nëpërmjet aeroportit të Rinasit për t’u arrestuar muaj më vonë në Liban. Po në Tiranë, një tjetër atentat tronditi opinionin publik, ku 4 persona që lëviznin në të njëjtën makinë në Lundër shpëtuan mrekullisht. Të plagosur mbetën drejtuesi i mjetit dhe 3 të mitur, dy prej të cilëve djemtë e pronarit të një shoqërie private.

Të gjitha ngjarjet e ndodhura përfshijnë një spektër të gjerë motivacionesh, si krime pasioni, hakmarrje, konflikte familjare, atentate me pagesë dhe krime të dyshuara mafioze. Këto të fundit janë po ngjarjet e pazbardhura.

Ky bilanc tregon se, pavarësisht përpjekjeve të policisë dhe institucioneve të drejtësisë, krimi i rëndë vijon të jetë prezent në shoqëri, ndërsa gjysma e ngjarjeve të këtij 6 mujori mbeten ende pa autorë apo motive të qarta. /A2

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu