Në qytetin e saj të lindjes, aty ku hodhi edhe hapat e parë të karrierës dhe arriti kulmin e saj, u shfaq premierë dokumentari “Zyliha Miloti, aktorja e 1000 roleve”, një vepër artistike që i kushtohet një prej figurave më të dashura të humorit shqiptar dhe teatrit shkodran. Ky dokumentar, i realizuar me regji të Arjan Çuliqit, rrëfen jetën dhe karrierën e jashtëzakonshme të Zyliha Milotit, aktores që për dekada me radhë i dha shpirt humorit, dramës dhe satirës shqiptare raporton newspower.al. Përmes materialeve arkivore, intervistave ekskluzive, fotografive të rralla dhe kujtimeve të kolegëve, dokumentari sjell një portret autentik të një legjende të gjallë të skenës. Krah miqve, kolegëve dhe publikut shkodran, premierë e pa edhe vetë aktorja e madhe këtë dokumentar, që nuk i fsheh emocionet.

Ata që ndanë një jetë skenën me të, por edhe miqësinë, janë të emocionuar kur flasin për Zylin, aktoren e dashur të të gjithëve, zonjën që padiskutim bëri revolucion me rolet e saj në teatër dhe film, ku na prezantoi aq shumë karaktere të ngulitura në mendjen e të gjithëve, raporton newspower.al.

Mjeshtria e Madhe Zyliha Miloti është emri që lidhet pazgjidhshmërisht me Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku luajti përkrah emrave të mëdhenj si: Tano Banushi, Paulin Preka, Zef Deda, Drande Xhaj etj. Me mbi 1000 role në skenë dhe ekran, ajo është bërë simbol i gjallë i një epoke të artë të artit skenik shqiptar, duke mishëruar me mjeshtëri karaktere të ndryshme, që nga gratë e urta e deri te figurat komike, me një autenticitet të rrallë dhe një intuitë artistike që magjeps./newspower.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu