Vit i thatë dhe shumë i kushtueshëm. I tillë po rezulton 2025-a që ka më shumë se 5-fishuar importet e energjisë elektrike vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në 18 ankande të shpallura nga janari deri më tani, KESH ka shpenzuar 57.2 milionë euro, me synim garantimin e furnizimit me energji pa ndërprerje. Muaj më i kushtueshëm deri më tani ka rezultuar qershori me 23.1 milionë euro faturë importi energjie, në ankandet e realizuara në këtë periudhë.

Në total në 6 muaj janë blerë 453,672 megavat/orë energji, ku rreth gjysma e kësaj sasie i takon vetëm muajit qershor.

Këto vlera të mëdha të importit, sinjalizojnë një verë të ‘nxehtë’ edhe për çmimet. Deri më tani importi më i shtrenjtë i energjisë ka qenë në muajin shkurt, ku 33.600 megavat janë blerë me 162.1 euro megavati, dhe çmimi më i lirë është regjistruar në datat 13-15 qershor, një megavat u ble për 71.8 euro.

Rritja e faturës së importit të energjisë ka ardhur si rezultat i mungesës së prodhimit të mjaftueshëm për të furnizuar vendit, edhe në kushtet e mungesës së reshjeve. Po ashtu temperaturat e larta shoqëruar edhe me shtim të turistëve, po rrisin edhe më shumë përdorimin e kondicionerëve jo vetëm nga konsumatorët familjarë por edhe në biznese./ shqiptarja.com

IMPORTI I ENERGJISË ELEKTRIKE:

Janar-Qershor 2024          9,899,344 euro

Janar-Qershor 2025         57,276,456 euro

Diferenca                       +47,377,112 euro

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu