Akti normativ për rishikimin e Buxhetit të vitit 2022, ka ndezur motorët e Komisionit të Ekonomisë për këtë legjislaturë të rre. Në aktin normative parashikohen rritje të të ardhurat, rritje shpenzimesh e ndërkohë ulen pritshmëritë për deficitin buxhetor.
Një ndryshim tjetër në aktin normativ është paketa e dytë sociale për përballimin e çmimeve të rritura, ku parashikohet zgjatja e paketës së parë, ku u dhanë 30 mijë lekë për 3 muaj për të pensionistët dhe familjet në nevojë për të përballuar koston e shtuar prej çmimeve.
Në Komisionin e Ekonomisë, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj sqaroi ndryshimet e parashikuar në këtë akt normativ.
“Ky akt normativ i përgjigjet krizës së energjisë dhe të çmimeve. Fokusi është akomodimi i mbështetjes për kategoritë. Synimi është shtrirja në kohë e paketës për të përballuar rritjen e çmimeve. Janë 6.1 miliardë lekë që do të përdoren për paketën. Ndërkohë kemi rritur pritshmëritë për të ardhurat dhe kemi ulur pritshmëritë për deficitin buxhetor”, tha Ibrahimaj.
“Rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë më shumë se 3.2%. Parashikimet tona për fundin e vitit 2022, por edhe për 2023 flasin për reduktim të rritjes ekonomike, të ndikuar më së shumti nga frika e uljes së konsumit e ndikuar prej çmimeve. Por deri më tani masat e ndërmarra kanë qenë si mburojë për të mos ulur konsumin. Një nga kostot më të mëdha për këtë vit është rritja e çmimit të energjisë elektrike, dhe ka një buxhet të jashtëzakonshëm prej 28 miliardë lekësh por që ka impakt tek familjet që të mos ulin konsumin”, tha ministrja.
Ibrahimaj bëri një prezantim edhe të rishikimit të shpenzimeve, dhe se ku do të përqendrohen ato.
“Do të rriten me 13 miliardë lekë shpenzimet, më së shumti për të përballuar rritjen e çmimeve. Parashikohen masa për të ndihmuar familjet përballë çmimeve, janë parashikuar fonde për kontratat publike. Reduktohet deficiti buxhetor me 17 miliardë lekë, duke e ulur në nivelin e 84 miliardë lekë. deficiti do të jetë sa 4.2% e PBB-së nga 4.5% që ishte. Limiti i huamarrjes është 33 miliardë lekë dhe jo 50 miliardë. Borxhi publik do të jetë 70.1% e PBB-së, por parashikimet janë pjesë e rishikimeve.”