Shkodrani Izmir Smajlaj është zgjedhur president i Atletikës Shqiptare. Ai ishte kandidati i vetëm, pasi Taulant Stërmasi u tërhoq nga kjo garë dhe në këtë mënyrë ish-kampioni i Europë merr postin e ri. Bashkë me Smajlin një tjetër shkodran është zgjedhur anëtar bordi në FSHA, atleti Gledis Halluni.
Vetë Smajli në rrjetin social pas marrjes së këtij posti shkruan:
Faleminderit nga zemra të gjithëve! Sot, kam nderin të jem Presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Atletikës. Nuk është vetëm një fitore personale, por një detyrim madhor ndaj çdo të riu që ëndërron vrapin, kërcimin, përpjekjen dhe lavdinë në pistë. Për katër vitet e ardhshme, do bëj ÇMOS që sporti, veçanërisht tek të rinjtë, të mos mbetet më vetëm një alternativë, por një rrugë dinjitoze jete! Kush më mbështeti, do ndjejë krenari. Kush më kundërshtoi, do ndryshoj mendim nga suksesi që do të ndërtojmë bashkë.
Sepse puna nuk njeh llafe. Dhe atletika është për ata që dinë të guxojnë ! T’i përveshim mëngët dhe të fillojmë punën! Përpara me zemër, përpara me vullnet! Me respekt, Izmiri.
Ndërkohe pas besimit si anëtar bordi edhe Halluni shkruan:
Falënderim nga ana ime si
Anëtar i ri i Bordit Drejtues të Federatës Shqiptare të Atletikës
Të nderuar miq të atletikës shqiptare,
Jam Gledis Halluni, 29 vjeç, kampion në garën e kërcimit së gjati dhe 3 hapsh për shumë vite dhe gjithmonë me përkushtim ndaj këtij sporti që më ka formuar si njeri dhe si atlet. Sot, me shumë përulësi dhe krenari, dua të falënderoj të gjithë komunitetin e atletikës shqiptare për besimin që më dha, duke më zgjedhur si anëtar i Bordit Drejtues të Federatës Shqiptare të Atletikës, përkrah Presidentit Izmir Smajlaj – një simbol i përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ky është një angazhim i madh dhe një përgjegjësi që e marr me përkushtim të plotë për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të atletikës në të gjitha trevat shqiptare. Besimi juaj do të jetë udhërrëfyesi im në çdo hap të këtij rrugëtimi. Faleminderit për mbështetjen dhe për dashurinë që tregoni çdo ditë për këtë sport fisnik.
Me respekt,
Gledis Halluni