Një aksident tragjik i ndodhur mbrëmjen e së hënës në vendin e quajtur “Stom Golem” në Shkodër, i mori jetën dy të miturve që po udhëtonin në një motorr. Fillimisht në vendngjarje ndërroi jetë një 16 vjecar, ndërsa mbeti i plagosur rëndë shoku i tij 13 vjecar. Ky i fundit megjithë përpjekjet e bluzave të bardha, nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë mëngjesin e së martës në spitalin rajonal të Shkodrës. Pasi humbën kontrollin e mjetit, dy të miturit u përplasën me murin anësor, çka rezultoi fatal si aksident. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave ndërsa viktima 13 vjecar, Fabian Shpati ishte një i ri i talentuar, që të mërkurën do të nisej bashkë me shokët e ekipit drejt Italisë për të marrë pjesë në një turne që do të zhvillohet atje. Futbollisti i vogël i ekipit “Djelmnia Shkodrane”, ishte një nga talentet e reja, që me ikjen parakohe nga kjo jetë, ka lënë një boshllëk dhe pikëllim të madh edhe tek ekipi. Në rrjetin social të “Djelmnia shkodrane” shkruhet: Sot zemrat tona janë të thyera… U nda nga jeta shumë herët, në moshën vetëm 13-vjeçare, Fabian Shpati, një djalë i artë dhe futbollist i talentuar i ekipit Djelmnia Shkodrane U13. Një engjëll në fushë, gjithmonë me buzëqeshje, pasion dhe shpirt gare. Ikja jote e parakohshme na ka lënë pa fjalë, por kujtimi yt do të jetojë gjithmonë në zemrat tona. Pushofsh në paqe Fabian, fushat e parajsës tashmë kanë një kampion më shumë. Lutje për shpirtin tënd dhe ngushëllime të sinqerta familjes Shpati dhe të gjithë miqve e shokëve.