Kreu i qeverisë, Edi Rama, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me kandidatët për deputet për zgjedhjet e 11 majit, në qarkun e Elbasanit.
Shefi i qeverisë tha se është e rëndësishme që vendi të integrohet në Bashkimin Evropian, ndaj kërkoi një mandat të katërt për të realizuar këtë qëllim.
Rama: Serbia ka filluar negociatat në vitin 2014, është mbrapa tani. Mali i Zi i ka filluar negociatat në vitin 2012, sot ne e kemi arritur dhe plani është që ne dhe Mali i Zi të hyjmë në BE dhe BE-ja të japë një sinjal të qartë që po zgjerohet. Prandaj ne jemi sot me fatin evropian që na buzëqesh për herë të parë konkretisht. Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për tu futur në BE në 2005, akoma s’i ka hapur negocitat. Ne i kemi hapur negociatat vjet dhe mund t’i mbyllim në 2027 dhe është një shpejtësi marramendëse sepse kemi punuar për këtë ditë.
Nëse negociatat mbyllen në vitin 2027 do të jetë rekord në gjithë historinë e integrimit.
Rama: E filluam nga vrima e fundit e kavallit, nuk na i hidhte njeri sytë dhe sot mund të jemi vendi që mbyll negociatat për tre vjet. Negociatat janë punë kolosale, afro 300 mijë fletë. Jo vetëm duhen lexuar, janë ligje, vendime, një kuadër i tërë rregullator. Janë marrëveshje të vazhdueshme. Nëse ne lëkundemi më 11 maj, sikur 3 muaj të kalojnë paqartësi ne nuk e kapim 2027. Atyre i ka ndodhur një tronditje nga gjërat e tjera që kanë ndodhur, që janë fokusuar tani dhe thonë “duhet t’i marrim tani dhe Shqipërinë dhe Malin e Zi, t’i mbyllim në 2027”. Kur 27 parlamente të ngrenë dorën të fusin shqiptarët dhe Shqipërinë do të jetë emocion i jashtëzakonshëm.
Rama tha se PS është forca e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
Rama: Mund të kishte qëlluar PD siç qëlloi atëherë. Një ditë jam futur në atë fole, ditën që u shpall te QS, 40 minuta më mjaftuan, ia ndjeva erën ika. Por ama ishte partia e duhur në kohën e duhur dhe shqiptarët s’kishin ç’të bënin tjetër veçse t’ia jepnin votën për të ndryshuar sistemin. Evropa e di për çfarë luftojmë ne, për çfarë po lufton këneta, dinë çfarë janë moçalet dhe në fund do bëjnë vlerësimin. Populli shqiptar duhet të na japë ne mundësinë, sepse është votë për Evropën e konfirmuar. Ky është shpëtimi ynë kombëtar nga hijet e historisë sonë. Ne nuk na janë ndarë hijet e historisë. Për herë të parë si popull, sot, qëkur u ndamë nga perandoria otomane, kemi kaluar në lloj lloj rrugësh, kemi jetuar në lloj lloj sistemesh dhe regjismesh, për herë të parë kemi nëj situatë ku barazia para ligjit duket reale.