Provinca Françeskane Shqiptare dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore, organizuan konferencën shkencore kushtuar dy figurave të shquara të françeskanizmit shqiptar, Át Bernardin Palaj dhe Át Justin Rrota. Studiues dhe profesorë të njohur nga fusha të ndryshme të gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare, nxorën në pah kontributin që patën këto dy klerikë në letërsinë shqipe, gjuhësinë, folklorin, historinë dhe identitetin kombëtar.

Për arqipeshkëvin e Shkodrës, Giovanni Peragine, duhet vijuar puna për të botuar të plota veprat e këtyre dy personaliteteve, si një kontribut për kulturën dhe vetëdijësimin e identitetit të popullit tonë.

At Benardin Palaj u shpall i lum në vitin 2016 nga selia e shenjtë. Ai është i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbledhjen dhe studimin e folklorit shqiptar, veçanërisht të Eposit të Kreshnikëve. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, u arrestua dhe u torturua nga autoritetet komuniste. Vdiq në burg në vitin 1947, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore. Ndërsa At Justin Rrota dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe studimet filologjike. Edhe pse ishte një figurë e rëndësishme akademike, gjatë regjimit komunist u persekutua dhe u përjashtua nga jeta akademike. Të dy këta françeskanë janë simbole të ruajtjes dhe promovimit të kulturës, gjuhës dhe historisë shqiptare, dhe vepra e tyre mbetet e një rëndësie të madhe për studiuesit edhe sot.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu