Në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u mbajt aktiviteti shkencor përkujtimor “Një shekull dritë – Luigj Gurakuqi në kujtesën e kombit”, kushtuar 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të patriotit dhe atdhetarit të shquar Luigj Gurakuqi. Studiues dhe pedagogët e këtij universiteti sollën në vëmendje jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Kumtesat u ndalën mbi ndikimin e Gurakuqit në letërsinë shqipe, përpjekjet e tij për unifikimin e gjuhës shqipe, kontributin në arsimin kombëtar dhe vizionin e tij për një Shqipëri moderne. Diskutimet nxorën në pah rolin e tij të pazëvendësueshëm në zhvillimin kulturor dhe politik të vendit.
Luigj Gurakuqi ishte një ndër figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai luajti një rol kyç në shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe ishte një nga mbështetësit kryesorë të ndërtimit të shtetit shqiptar. Si politikan, shkrimtar dhe veprimtar i palodhur, ai punoi për përhapjen e arsimit shqip dhe unifikimin e gjuhës kombëtare. Përkushtimi i tij për çështjen shqiptare i kushtoi jetën, pasi u vra në Bari të Italisë më 2 mars 1925.