Një film i bazuar në ngjarje të vërteta, i zhanrit dramë dhe romancë, që eksploron një nga fenomenet më të pranishme në shoqërinë shqiptare emigracionin, “Pasaporta” e Eduart Grishajt pati premierën në kinemanë “Republika” në Shkodër. Ky film trajton çështjet e identitetit, emigrimit dhe sfidave që shqiptarët përballojnë gjatë përpjekjeve për të krijuar një jetë të re jashtë atdheut të tyre.

Të realizosh një produksion shqiptar nuk ishte e lehtë dhe mbështetja nga institucionet shtetërore mungon, por kjo nuk e ka ndalur regjisorin Grishaj të punojë në detaje për të sjellë një produkt cilësor, duke kapërcyer çdo vështirësi.

Edoni dhe Vera janë dy të rinj që duan të largohen nga Shqipëria në mënyrë ilegale. Ata lidhen me një grup mafioz të strukturuar, i cili do t’i çojë drejt Kanadasë me pasaporta false. Edoni dhe Vera duhet të sillen sikur janë një çift. Rruga është plot me peripeci dhe sfida. Ata dashurohen me njëri-tjetrin, pa marrë parasysh rrezikun që u kanoset. Roli kryesor i Edonit u interpretua mjeshtërisht nga aktori shkodran Indri Shiroka, i cili personifikohet më së miri me personazhin, pasi edhe vetë ai ka emigruar nga Shqipëria në moshë të re.

“Pasaporta” është një film që sfidon audiencën të reflektojë mbi kuptimin e vërtetë të identitetit dhe sakrificat që njerëzit bëjnë për të arritur ëndrrat e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu