Arjon Hasaj dhe Klisman Hasaj mbeten në burg, pasi Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për dy vëllezërit, të dyshuar si autorë të vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj, ngjarje që ka ndodhur në fshatin Dragoç të Postrribës më 4 janar 2025. Dy vëllezërit në seancën gjyqësore nuk kanë deklaruar asgjë. Ndërsa avokati mbrojtës i tyre ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Klisman Hasaj, ndërsa për Arjon Hasaj ka kërkuar “arrest me burg”, pasi nga akt-ekspertimi i kryer nga grupi hetimor është e qartë se ngjarja është e mbyllur dhe janë faktuar plotësisht të gjitha dinamika e ngjarjes. Sipas hetimeve, organizator dhe autor i vrasjes është Arjon Hasaj, ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj, nuk ka qenë fare i përfshirë në ngjarje.
Nga të dhënat e akt-ekspertimit balistik rezulton se është e njëjta armë, e gjetur në oborrin e shtëpisë, me të cilën është qëlluar për vdekje Ramazan Mataj. Gjithashtu, janë zbërthyer edhe telefonat e Ramazan Matajt, Arjon Hasaj dhe Klisman Hasaj, ku ky i fundit rezulton të mos ketë pasur dijeni për ngjarjen dhe planin e vëllait të tij për të eliminuar Ramazan Matajt.
Në gjykatë nuk kishte asnjë familjar të vëllezërve Hasaj, pasi mësohet se ata janë të ngujuar për shkak të traditës zakonore dhe frikës nga gjakmarrja. Arjon Hasaj, më 6 janar 2025, është arrestuar nga policia dhe para hetuesve ka pranuar vrasjen e Ramazan Matajt. Sipas tij, arsyeja e krimit ishte lidhja dashurie e Ramazan Matajt me motrën e tyre, lidhje që ka shkaktuar dy divorca për motrën, si dhe shpërndarjen e videove intime të saj në rrethin shoqëror. Pavarësisht kërkesës për të qëndruar larg motrës dhe për të mos shpërndarë video të tilla, viktima ka vazhduar të bëjë këtë, dhe siç duket, ky ka qenë shkaku që çoi në planifikimin dhe egzekutimin e Ramazan Matajt nga 29-vjeçari Arjon Hasaj, baba i katër fëmijëve.