Nga Susi Dennison “Foreign Affairs”
Përktheu: Alket Goce
Ndërsa po mbaron stina e verës, gati të gjitha vendet e BE-së po përballen me një formë të krizës energjitike. Pas pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Evropian iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve në vendosjen e sanksioneve dhe embargove të ashpra ndaj gazit natyror rus, edhe pse shumë vende të unionit varen nga importet e energjisë ruse.
Këto hapa kanë sjellë rritjen e madhe të çmimeve, duke rritur ndjeshëm koston e jetesës për shumë evropianë. Disa qeveri evropiane po synojnë tashmë të reduktojnë konsumin e energjisë. Për shembull, duke e kufizuar përdorimin e ajrit të kondicionuar në godinat publike, dhe duke kërkuar nga dyqanet të fikin dritat gjatë natës.
Por kriza vetëm sa do të përkeqësohet. Qeveritë po përpiqen që të përgatiten sa më mirë për atë që do të jetë një dimër shumë i vështirë. Politikë-bërësit në të gjithë BE-në, janë të fokusuar tek mbështetja te furnizimet kombëtare. Shtetet e BE-së kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe për të siguruar energji nga prodhuesit alternativë, si Algjeria, Kanadaja dhe Katari.
Tani ato po diskutojnë se si të ndërtojnë gazsjellës të rinj, që do të transportojnë gaz nëpër vendet e Evropës Jugore dhe Qendrore. Dhe zyrtarët evropianë po mendojnë seriozisht se si t’i bëjnë vendet e tyre më efikase në përdorimin e energjisë. Këshilli i BE-së ra dakord që në korrik mbi një plan të kursimit të energjisë, që u kërkon vendeve anëtare të reduktojnë m 15 për qind konsumin e gazit deri në fillimin e dimrit.
Disa qeveri, si ato në Francë, Itali dhe Spanjë, kanë vendosur objektiva për reduktime të tilla. Por shtetet e tjera anëtare, si Gjermania, kanë hezituar të përcaktojnë masa zyrtare për ta bërë këtë. Megjithatë lëvizje të tilla, nuk po arrijnë të adresojnë krizën me të cilën përballet Evropa.
Qeveritë evropiane po merren thjesht vetëm me simptomat e gjendjes së tyre të vështirë, ndërsa po shpërfillin shkaqet reale. Por vetëm përmes një politikës së jashtme të koordinuar – dhe jo reagimeve të fragmentuara individuale – Evropa mund ta vendosë veten në rrugën e duhur drejt sigurisë energjitike.
Në mungesë të një veprimi të tillë të bashkërenduar, shtetet anëtare të BE-së do ta gjejnë vazhdimisht veten në një dilemë të fortë midis mbrojtjes së vlerave të tyre, dhe plotësimit të nevojave themelore të qytetarëve të tyre, gjë që do ta dëmtojë vetë projektin evropian.
Qeveritë evropiane duhet të veprojnë me shpejtësi për të shmangur pasojat më të këqija që mund të sjellë dimri që po vjen. Evropa e ka pasur shumë të vështirë muajt e fundit që të shkëputet nga varësia që ka nga energjia ruse. Por edhe përpjekjet më të guximshme për të diversifikuar burimet e saj energjetike, nuk kanë qenë në gjendje që ta kapërcejnë varësinë e saj historike nga Rusia.
Në korrik, zyrtarët gjermanë (me mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të BE-së) e nxitën Kanadanë të anashkalojë sanksionet e veta ndaj Rusisë, në mënyrë që të riparonte me shpejtësi gazsjellësin “Nord Stream 1” për të lejuar vazhdimin e furnizimeve ruse me gaz. Dhe kjo gjë ndodhi vetëm disa ditë pasi forcat ruse goditën një qendër tregtare në Kremenchuk, teksa brenda saj ndodheshin më shumë se 1000 njerëz.
Angazhimi i supozuar i Evropës që Rusia të japë llogari për veprimet e saj në Ukrainë, duket se është i penguar nga nevojat e saj të pamohueshme për energji. Një tjetër paralajmërim erdhi këtë verë nga Italia, kur disa parti politike, përfshirë Lëvizjen Pesë Yjet, Lega dhe Forza Italia të ekstremit të djathtë, e rrëzuan qeverinë e kryeministrit Mario Draghi pavarësisht përpjekjeve të mëdha për ta zhvendosur ekonominë italiane larg energjisë ruse.
Partitë opozitare deklaruan s një kosto e tillë ishte e panevojshme, duke këmbëngulur se energjia do të ishte shumë më e lirë, nëse Italia zgjedh të mbetet një kliente besnike e gazit rus. Italia, një nga vendet më të mëdha anëtare të BE-së, e ka prishur tashmë konsensusin për mbajtjen e një qëndrimi të fortë kundër Putinit.
Lufta e neveritshme e këtij të fundit, i ka tmerruar zyrtarët në kryeqytetet e tjera evropiane. Nëse Roma do ta braktisë këtë përpjekje kolektive, të tjerët mund të ndjekin shembullin e saj.
Kjo duke pasur parasysh zërat e fuqishëm nacionalistë, që shfaqen thuajse në të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Në javën e parë të muajit gushtit, Marine Le Pen, udhëheqësja e Partisë Tubimi Kombëtar i të djathtës ekstreme në Francë, bëri thirrje t’i jepet fund atyre që ajo i quajti sanksione “të padobishme” ndaj Rusisë. Nën presionet ekonomike dhe ato politike, uniteti mbresëlënës që e ka karakterizuar reagimin deritanishëm të Evropës ndaj luftës, është dukshëm i rrezikuar. Vetë Kremlini mund t’i shohë këto të çara. Retorika e Putinit është forcuar dukshëm në muajt e fundit, duke fajësuar sanksionet për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve në mbarë botën. Duket se Moska duket nuk ka gjasa ta braktisë kufirin e saj, duke e testuar më tej tolerancën e Evropës për shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe humanitar nga ana e Rusisë. Këmbëngulja e e Putinit paraqet rreziqe të mëdha për evropianët. Nëse bëhen realitet parashikimet aktuale të ndërprerjeve të energjisë për bizneset, konkurrenca industriale evropiane do t’i vuajë shumë pasojat e krizës. Po ashtu, përgjigjet e dobëta për të zëvendësuar thjesht gazin rus me lëndë djegëse fosile nga vende të tjera, në vend të rritjes më shpejtësi të burimeve të rinovueshme, po i vënë në rrezik synimet e Evropës për adresimin e krizës së klimës.
Tranzicioni i gjelbër i planifikuar i BE-së duket se po ngec, sepse qeveritë po fokusohen tek nevojat afatshkurtra për energji. Për pasojë, pretendimet e Evropës për të qenë një udhëheqëse botërore në adresimin e ndryshimeve klimatike, po duken gjithnjë e më të dyshimta.
I tillë duket edhe angazhimi i saj i shpallur për të mbështetur vlerat liberale dhe sundimin e ligjit, pasi po vazhdon ende të blejë energji ruse, edhe pse ushtria ruse vijon të shkelë ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut në Ukrainë. Qasja dritëshkurtër e BE-së ndaj kësaj lufte, mund të minojë përfundimisht vetë besueshmërinë e projektit politik evropian.
Evropa mund të përcaktojë edhe një rrugëdalje nga kjo krizë përmes një procesi që mund të fillojë të mbrojë në të ardhmen sigurinë e saj energjetike, por edhe sigurinë më në përgjithësi.
Kaosi që ka shkaktuar Putini duke e shkelur më të dyja këmbët ligjet e rendit ndërkombëtar, nuk ka kaluar pa u vënë re në Kinë, Korenë e Veriut dhe Turqi.
Shtetet e BE-së duhet të përgatiten tani të përballen me një botë të trazuar. Ata duhet të bashkojnë burimet e tyre për ta përballur sfidën si duhet. Dhe duhet të kuptojnë se arritja e sovranitetit, mund të ndodhë vetëm në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Nëse vazhdojnë t’u qasen krizave në mënyrë të pjesshme dhe nëse veprojnë individualisht dhe jo kolektivisht, shtetet anëtare të BE-së do të zhyten në këto ujëra të turbullta.
Politikë-bërësit duhet të promovojnë një narrativë më të fortë në lidhje me nevojën për një siguri energjetike të qëndrueshme në të gjithë Evropën, ku qeveritë bashkëpunojnë ngushtësisht me industrinë dhe konsumatorët. Udhëheqësit duhet ta kenë të qartë se BE-ja nuk do të rezistojë dot pa veprimin e të gjitha pjesëve të shoqërisë evropiane, ndërsa koalicionet qeverisëse duhet të jenë të gatshme të përballojnë kostot politike të shpjegimit të një mesazhi të tillë.
Për shembull, partitë e ndryshme në qeverinë e koalicionit në Gjermani, e kanë trajtuar me nivele të ndryshme emergjence domosdoshmërinë e reduktimit të konsumit të energjisë. Kjo qasje është e paqëndrueshme. Duke pasur parasysh madhësinë dhe ndikimin e Gjermanisë, qasja e qeverisë së saj për të nxitur konsumatorët dhe bizneset të “shtrëngojnë rripat”, ka pasoja shumë përtej Berlinit, me një efekt gërryes ndaj çdo lloj përpjekje të përbashkët evropiane për të kursyer energji.
Evropa duhet të veprojë shpejt për të shmangur pasojat më të zymta të dimrit të ardhshëm.
Ajo duhet të analizojë në mënyrë strategjike, se cilat burime mund të bashkojnë të gjithë përpara këtij dimri. Kërkesa të tilla mund të politizohen shumë lehtë dhe të shkaktojnë përçarje.
Ndaj një qasje parandaluese dhe bashkëpunuese mund të kërkojë investime serioze, dhe gatishmërinë për të parashikuar ndarjen e barrës në nivel evropian në financimin e përgjigjen ndaj krizës. Udhëheqësit e saj duhet të përsërisin veprimet energjike të ndërmarra gjatë pandemisë, përfshirë huamarrjen në shkallë të gjerë nga tregu, për të rritur me shpejtësi drejt burimeve më të pastra dhe më të besueshme të energjisë si një burim kolektiv i BE-së, për të përmbushur kërkesat për energji përtej këtij dimri.
Ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha:BE-ja duhet të zhvillojë një strategji të politikës së jashtme, e cila duhet të ndërtojë një rrjet të gjerë marrëdhëniesh me vendet e treta, që do të mbështesin një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të sigurt nga energjia për Evropën. Evropa mund ta përballojë krizën aktuale, dhe madje mund të dalë akoma më sovrane prej saj. Por zgjedhjet që do të bëjë gjatë javëve të ardhshme, do të përcaktojnë nëse ajo do të garantojë pavarësinë e saj, apo nëse projekti politik evropian është një tjetër viktimë e luftës mizore të Putinit.