Banka e Shqipërisë kërkon rishikimin e skemës së pensioneve, ndërsa kërkon që ajo të jetë në përputhje me skemat e Bashkimit Europian. Kështu deklaroi sot, Zv/guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi, në Komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2025. Ajo thekson se skema aktuale mund të kthehet në një rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike.
Minxhozi tha se, “zhvillimet aktuale kanë nxjerrë në pah nevojën e rishikimit të skemës së pensioneve. Skema e pensioneve po sfidohet fort nga ndryshimet demografike, plakja e popullsisë dhe emigrimi i krahut të punës. Mbështesim qeverinë në një skemë të re në përputhje me skemat e BE-se. Skemën e pensioneve duhet t’a rishikojmë sepse bëhet rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike”.
Ndërsa drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli vuri në dukje se, sa i takon skemës së re të pensioneve, fillimisht duhet të analizohet informaliteti që qëndron në parametra të larta.