Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, takim me Kryeprokuroren e Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës.

Takimi ndërmjet Drejtor Prodës dhe znj. Ann Fransen, shumë i rëndësishëm për të çuar më tej bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, me strukturat hetimore në Mbretërinë e Belgjikës, me qëllime:
-hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale;
-konstatimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike;
-gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të krimit.

Në takimin ku morën pjesë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe magjistratë të Mbretërisë së Belgjikës, titullarët u dakordësuan për vënien të dispozicion të skuadrave të përbashkëta hetimore, të ekspertëve më të mirë, të cilët do të shkëmbejnë informacione dhe eksperienca, do të kryejnë hetime dhe do të aplikojnë metodat më të mira operacionale dhe policore, me qëllim goditjen e krimit të organizuar. Gjithashtu, gjatë takimit ata vlerësuan punën profesionale të oficerës së kontaktit në Shqipëri, znj. Eva Mielnicki.

Drejtor Proda i propozoi kryeprokurores Fransen, nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, si dhe kërkoi që për çdo shtetas shqiptar të dënuar në Belgjikë, të bashkëpunohet me Policinë e Shtetit, në mënyrë që të nisë hetimi pasuror. Gjithashtu, Drejtori e garantoi kryeprokuroren, se partnerët belgë do të gjejnë te Policia e Shtetit, gatishmëri, vullnet, angazhim, përkushtim, profesionalizëm dhe besueshmëri në cdo iniciativë që do të ndërmerret për të luftuar krimin e organizuar.

Kryeprokurorja Fransen uroi Drejtorin e Përgjithshëm, për detyrën dhe u shpreh se gjatë punës së saj, Policinë shqiptare e ka konsideruar partnere parësore. Gjithashtu, shprehu përgëzime për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm, të konkretizuar me operacione të përbashkëta dhe me ekzekutimin e menjëhershëm të letërporosive të agjencive ligjzbatuese belge. Gjithashtu, kryeprokurorja shprehu gatishmërinë për të çuar më tej këtë bashkëpunim, për përmbushjen e misionit madhor, sigurinë e qytetarëve të të dyja vendeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu