Enver Balla, 62 vjeç, i denoncuar i zhdukur më 13 gusht 2024 është gjetur i pajetë në një pus në tokën e familjes në Shënavlash të Durrësit. Dyshohet se Balla është vrarë nga djali i tij, Esmerald Balla, i cili më pas e ka hedhur trupin në pus dhe ka shkuar në polici ku ka denoncuar zhdukjen e të atit.
“Në Komisariatin e Policisë Durrës ka kallëzuar shtetasi Esmerald Balla, banues në fshatin Shënavlash, se më datë 13.08.2024, është larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi Enver Balla, 62 vjeç. Vijon puna për gjetjen e 62-vjeçarit”, njoftoi policia më herët.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur rreth 20 ditë më parë dhe është zbuluar ditën e sotme nga Sektori i Krimeve të Rënda.
Policia e Durrësit ka pasur dyshime që në fillim për krim brenda familjes.
Hetuesit kanë përgjuar komunikimet telefonike dhe mesazhet e autorit të dyshuar, Esmerald Balla dhe më pas kanë zbardhur ngjarjen e rëndë.
Autori pas arrestimit ka pranuar krimin duke thënë se vrau të atin pasi ky i fundit i kishte marrë shuma parash.