Në Pukën turistike dhe mikpritëse, ishte ndalesa e radhës e Fest Folk 2024, organizuar nga këshilli i qarkut Shkodër në bashkëpunim me bashkitë Pukë e Fushë Arrëz. Artistët më në zë të qarkut, dhuruan emocione dhe një mbrëmje magjike për të pranishmit, ku kryefjalë ishin këngët burimore, kostumet dhe vallet tradicionale, që përfaqësojnë traditat dhe vlerat që kanë këto zona.

Nga tingujt e lahutës, tek çiftelia, kënga e bukur shkodrane dhe vallet e motivet tradicionale, i dhanë kësaj nate një tjetër dimension, duke e shndërruar sheshin kryesor të bashkisë Pukë, në një amfiteatër vlerash. U zgjodh ky moment festiv, që kreu i këshillit të qarkut Shkodër Edmond Ndou të vlerësoje një prej artistëve të njohur të Pukës, koreografin Riza Hoxha.

Një vlerësim për kontributin e gjatë që artisti Hoxha ka dhënë si mjeshtër i kërcimit dhe valles epike e lirike.

Për të zotët e shtëpisë, dy kryebashkiakët Rrok Dodaj i Pukës dhe Hilë Curri i Fushë Arrëzit, kjo mbrëmje vlerash, dëshmon bashkëpunimin e mirë me këshillin e qarkut dhe kryetarin Ndou. I nisur me Vau Dejësin dhe më pas Pukën, ky organizim do të shtrihet në të gjitha bashkitë e qarkut Shkodër me qëllim promovimin e turizmit dhe vlerave të trashëgimisë historike, kulturore dhe etnografike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu