Kolë Idromeno e ka përjetësuar në tablon e famshme të tij realizuar në vitin 1924, ritualin e dasmës shkodranë, por shpirti artistik i Shkodrës e ka ruajtur dhe trashëguar këtë vlerë ndër breza. Ashtu si dikur motit, me veshjet karakteristike, këngët, vallet dhe gatimet tradicionale, u rikthye “Dasma Shkodrane”. Këtë herë me ftesën “Ardhshi t’bardhë n’ahengun tonë”, ajo nuk u prezantua në një oborr tradicional, por në shtëpinë e të gjithë shkodranëve, hollin e bashkisë Shkodër.
Çifti i priu dasmës, e pas tij edhe dasmorët që dhuruan një mbrëmje të vecantë, në një atmosferë tipike shkodrane ku nuk mungonte thuajse asnjë element. Artistët e qendrës kulturore “Pjetër Gaci” na dëshmuan se kjo trashëgimi nuk do të shuhet.
AMILA GJYREZI Drejtore e Kulturës, Bashkia Shkodër
Organizatorët nuk e fshehin keqardhjen që sot dasmat e kanë humbur traditën, por synimi është që përmes të tilla nismave të edukohet brezi i ri për ta ruajtur këtë vlerë.
Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Shkodër. Synimi i tij është promovimi i pasurisë së vlerave të trashëgimisë kulturore jomateriale.