Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha po zhvillon sot  një takim me banorë të zonës në Pukë dhe Fushë-Arrëzit.

Berisha u shpreh se varfëria i ka vënë para shqiptarët dhe shkak për këtë Berisha tha se është vjedhja e qytetarëve nga qeveria.

Berisha: Shqiptarët i ka vënë përpara varfëria që e shkakton qeveria e cila vetëm vjedh

Ju falënderoj për çdo mbështetje që i keni dhënë Partisë Demokratike. Përulem me nderim të madh, para kontributit tuaj, në tërë historinë tonë, para shpirtit tuaj punëtor. Jam sot këtu për të diskutuar së bashku mbi problematikat e mëdha me të cilat përballet Puka dhe Shqipëria. Çdo shqiptare dhe shqiptar, ndjen një dhimbje, therje në shpirt kur shikon se si po braktiset ky vend, ndërkohë që nëse analizojmë pasuritë e jashtëzakonshme që ka, këtu mund të begatohet me shpejtësi shumë herë më tepër sesa banorët e këtij vendi.

Shqiptarët sot i ka vënë përpara para së gjithash varfëria, krejtësisht e pamerituar. Varfëri që në ndonjë aspekt në rast të veçantë kap edhe tregimet e Migjenit. Varfëri e cila shkaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga vjedhja e madhe që i bëhet qytetarëve shqiptarë nga qeveria.

Unë u them ju, vetëm dy fakte. Nga viti 2013 deri në vitin 2022 janë marrë borxh 500 miliardë lekë. Borxh të cilin e paguan çdo shqiptar, se qeveria nuk prodhon asnjë qindarkë.  Janë krijuar të ardhura 400 miliard, pra në total 900 miliardë lekë. 

Çfarë ka ndodhur me to? Ju garantoj se me 900 miliardë lekë, sot çdo shqiptar duhet të merrte të paktën 3 herë më shumë se në vitin 2013 dhe të tepronte shumë me investime. Ku jemi sot dhe pse varfëria i ka vënë përpara shqiptarët.

I ka vënë përpara sepse rroga mesatare e qytetarit dhe pensionistit shqiptar janë të paktën 30 % më të ulëta se në vitin 2013. Në vitin 2013, rroga mesatare dhe pensioni ishin më të lartat në rajon dhe kjo ishte një arritje e madhe për ne. Kjo sepse nga njerëzit e 3-të më të varfër në botë që ishim në 1991, ja dolëm të lëmë pas shumë kombe, edhe kombe që kishin paga më të larta se ne.

Sot ku jemi ne? Jemi me rrogat më të ulëta në rajon. 20-30 % më të ulëta se në Kosovë. Nuk po krahasoj me vendet e tjera, sepse Mali i Zi i ka 40% më të larta pagat, Maqedonia 30%. Por pse ndodh kjo në një kohë kur ky shtet ka qarkulluar dhe mbledhur, borxh dhe prodhim 900 miliardë lekë. Kjo ndodh vetëm e vetëm se ato vidhen.

• Berisha: Kjo qeveri e përdor varfërinë si mjet për të nënshtruar njerëzit 

Në ç’mënyrë do të thoni ju? Çdo punë publike këtu kushton 5 deri në 8, e ndonjëherë edhe 10 herë më shumë seç e ka koston. Punët publike, e dini ju që ka një manual për çmimet e çdo materiale, fuqisë punëtore, energjisë etj. Për të ndërtuar 1 km autostradë në fushë në Europë, prokurorohen maksimumi 3 milionë euro. Për 1 km rrugë në fushë si ajo Balldre-Lezhë u prokuroruan me 22 mln euro.

Për të ndërtuar një shkollë në Gjermani, Francë dhe kudo ka një kosto prej 620-680 mijë Euro. Në Shqipëri kjo kosto shkon edhe 5 mln euro. Pse? Sepse vjedhin dhe vetëm vjedhin. 

Po marrim rrasat e gurit që janë shtruar sheshet e qyteteve dhe qytezave, kanë kushtuar mbi 1 miliardë euro. Kam folur me specialistë të gurit dhe më kanë thënë se nuk mund të shkonin kurrë më shumë se 160-180 milionë euro. 

Prandaj ne nuk na rriten rrogat, çmimet rriten dhe ne ngelemi aty ku jemi. Kjo qeveri e përdor varfërinë si mjet për të nënshtruar njerëzit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu