Partia Socialiste duket se ka arritur në përfundimin se ndarja aktuale territoriale e Shqipërisë është e duhura.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.
Kujtojmë se Enkelejd Alibeaj, e quajti një provokim për zgjedhjet e ardhshme qëndrimin e socialistëve. Megjithatë Balla theksoi se PS do t’i fitojë zgjedhjet dhe nuk ka pse Alibeaj ta marrë si një provokim.
“PS do ti fitojë zgjedhjet vendore. Nuk është provokim por fakt. Ne kemi dëshmuar se jemi një parti fuqi ndryshimi edhe në ato bashki që ne jemi rikthyer pas shumë vitesh. Bashkia Kamëz, pyesni banorët dhe ju konfirmojnë se për 3 vite kemi bërë punë që nuk janë bërë prej 30 vitesh. Qytetarët e dinë se duhet të kesh një socialist kryetar bashkie. Nëse doni gjumë e provoi Tirana me Lulzim Bashën”
“Ne me grupi Parlamentar kemi marrë një info nga ekspertët dhe pasi morën propozimet dhe vlerësuan ndarjen territoriale, na kanë sugjeruar që ka propozime të rritjes së numrit apo zvogëlim të numrit. Bashki Tirane edhe më të madhe, përfshi Vorën dhe një pjesë të Kamzës. Versioni i ekspertëve na thanë që të qëndrojmë në këtë ndarje. Edhe po të bëhet reforma i bie të zbatohet në 2027. Në dobi të punës së bashkive do i qëndrojmë kësaj, me një raporto konkret.” tha Balla.