Kontrolli i Lartë i Shtetit, vazhdon të zbulojë dëme në administratën qëndrore dhe atë vendore, por nuk merr masa ndaj përgjegjësve.
Në dy audite që ka kryer në Drejtoritë Rajonale Tatimore në Shkodër dhe Elbasan edhe pse ka konstatuar 1.3 miliardë lekë, ose 11.5 milionë euro të ardhura të munguara, nuk ka çuar asnjë funksionar para drejtësisë.
Në atë të Shkodrës, KLSH ka gjetur 10.5 milionë euro të ardhura të cilat nuk janë mbledhur nga tatimi mbi fitimin, nga diferenca të konsiderueshme në vlerën e importeve dhe eksporteve të deklaruar në tatime dhe në doganë si dhe parregullsi të tatimorëve.
Në 30 dosje kontrolli tatimor të audituara, inspektorët në 15 prej tyre nuk i kanë zbatuar procedurat e duhura për analizat financiare.
Por edhe pse dëmi është i madh dhe shkeljet janë të shumta, KLSH është mjaftuar me metodën e zakonshme, duke i lënë vetëm rekomandime drejtorit të institucionit që të marrë masa disiplinore për punonjësit përkatës.
E njëjta gjë është bërë edhe në Drejtorinë Tatimore të Elbasanit.
KLSH gjeti 979 mijë euro të ardhura që nuk kanë ardhur në buxhetin e shtetit si pasojë e mosmbledhjes së tatimit mbi fitimin në disa biznese të zonës.
Masat disiplinore ishin rekomandime të lëna Drejtorisë për pezullimin nga e drejta për t’u ngritur në detyrë për 13 punonjës dhe largim nga shërbimi civil për 3 të tjerë, ndërsa përgjegjës para drejtësisë nuk kishte asnjë.