Për mbi 40 vite me biçikletën e tij ka shkelur çdo rrugë e rrugicë nëpër Shkodër në kërkim të talenteve të qytetit. Mësues Ferdinand Bushati ose ndryshe siç e thërrasin të gjithë zotni Nardi festoi 90 vjetorin e lindjes. Familjarë, miq, ish-nxënës që sot secili prej tyre ka krijuar një karrierë të pasur artistike u mblodhën për t’i uruar ditën e lindjes një prej figurave emblematike të qytetit të Shkodrës, që me punën e tij si drejtues i klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut” ka kontribuar mjeshtërisht në evidentimin e talenteve të reja të qytetit. Në fjalën e tij mësues Nardi i falenderoi të gjithë të pranishmit që u kujdesën t’ja bënin më të bukur këtë përvjetor të lindjes. Dy nga organizatorët e kësaj feste, Astrit Fani dhe Rozi Pema nuk i fshehin emocionet e takimit por megjithatë ata thonë se nuk ishte aspak e vështirë t’i bënin bashkë të gjithë miqtë për të festuar ditëlindjen e mësues Nardit. Secili nga miqtë artistë të cilët nuk ishin vetëm nga Shkodra por edhe Tirana kujtuan bashkë me mësues Nard Bushatin momente të bukura nga koha e kaluar me të.
Nard Bushati ishte drejtues i Klubit të Rinisë deri në vitet ’90 kur më pas pushoi së ekzistuari si institucion por duke nxjerrë dhe prodhuar artistë të shumtë në qytet.