Mjekja e njohur pediatre Greta Naraçi, drejtuese e këtij reparti në spitalin e Shkodrës, feston 65 vjetorin si dhe 40 vite në mjekësi.
Një urim i veçantë i mbërriti asaj nga bashkëshorti Bert Naraçi, djali i Kel Naraçit.
E rrethuar nga kjo surprizë në ditëlindjen e saj, edhe pse u dashurua me një artist, ajo zgjodhi të bëhet mjeke falë këmbënguljes të vjehrrit të saj doktor Kel Naraçit, emrin e të cilit mban sot pediatria e Shkodrës.
Vjehrri i cili ishte edhe shefi i doktoreshë Greta Naraçit la këshilla që vlejnë edhe sot ndërsa kasta e mjekëve që gjeti asokohe janë emra që bënë historinë e mjekësisë shqiptare. Në këto 40 vite të karrierës si mjeke, Greta Naraçi tregon se rastet e vështira janë të shumta.
Momentet e bukura për doktoreshë Gretën janë kur fëmijët largohen me shëndet të plotë nga spitali. Doktoreshë Greta Naraçi do vijojë kontributin e saj pandërprerje në spitalin e Shkodrës në shërbim të fëmijëve të qytetit.
Spitali Rajonal i Shkodrës ka nxjerrë emra të nderuar të mjekësisë shqiptare të cilët me punën e tyre kanë shënjuar historinë ndërsa trashëgimia e atij brezi të artë mjekësh vijon edhe në ditët e sotme nga doktorë si Greta Naraçi e cila mbushi 40 vite në profesion.